“Më jep xhiron ditore”! Ja si ndodhi ngjarja e rëndë në Pogradec ku u dhunua për vdekje Egli Proga! Kush u mundua ta fshihte, kë akuzon familja e tij?

Në pasditen e 10 gushtit, Egli Proga përfundoi për herë të fundit punën në lokal dhe u drejtua për në shtëpi në Pogradec. Në afërsi të një lokali tjetër, ai u takua me Denis Meçen, i cili i kërkoi një cigare dhe xhiron ditore si pjesë e një “gjobvënie”. Kur Proga refuzoi të paguante për shkak se kishte nevojë për paratë për të mbajtur fëmijët e tij, Meçe e goditi me grushte në anën e majtë të kokës, një goditje që rezultoi fatale. Megjithëse Proga u dërgua në spital, nuk mundi të mbijetojë për shkak të dëmtimeve të rënda.

Ngjarja ka ndodhur në prani të shumë dëshmitarëve, disa prej të cilëve u vunë në pranga për moskallëzim krimi. Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe akuzohen se nuk e raportuan krimin dhe penguan zbardhjen e së vërtetës. Ata u lanë të lirë nga Gjykata e Korçës, edhe pse ishin përfshirë në ngjarje dhe nuk dhanë informacion në lidhje me atë që kishin parë.

Dëshmitarët kanë treguar se Proga ra në tokë dhe qëndroi i shtrirë për 30 minuta, ndërsa një efektiv policie ishte në afërsi. Familjarët e tij tentuan ta dërgojnë në spital, por sipas tyre, ndihma u dha me vonesë dhe ambulanca erdhi shumë vonë. Ata akuzojnë autoritetet për veprim të vonuar dhe për përpjekje për të fshehur ngjarjen duke e raportuar si aksidentale. Motra e Egli Progës, Jonida, ka thënë se policia fillimisht i tha familjarëve se ai ishte rrëzuar, por kur panë trupin, u bë e qartë se kishte pësuar dhunë të rëndë.

Të afërmit e Eglit kanë bërë akuza të forta ndaj autoriteteve për përpjekje për të fshehur ngjarjen dhe për të mos e trajtuar si duhet. Ata kanë theksuar se të përfshirët në ngjarje janë të njohur në zonë për gjobvënie, dhe kanë akuzuar autoritetet për heshtje dhe pasivitet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar një inspektim të procedurave të ndjekura nga Policia e Pogradecit dhe ka kërkuar një vlerësim të detyrave të kryera nga strukturat përkatëse. Ky hetim është i fokusuar në mënyrën se si është trajtuar ngjarja dhe nëse janë ndjekur procedurat e duhura.

Në seancën e gjyqit, prokuroria kërkoi masën e arrestit për Denis Meçen nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia, ndërsa për tre të tjerët kërkoi masën e detyrimit të paraqitjes. Gjykata e Korçës ka vendosur të mbajë në burg Denis Meçen dhe të caktuar masën e detyrimit të paraqitjes për të tjerët, për shkak të moskallëzimit të krimit. Megjithatë, ka pasur kritika për mënyrën se si ngjarja është trajtuar dhe hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT