U gjet i pajetë mes shkëmbinjve në Ksamil/ Dalin rezultatet paraprake të ekspertizës: Pse vdiq Florian Kofina

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me 38-vjeçarin, i cili u gjet i vdekur një ditë më parë, pranë Gjirit të Barxhos në Ksamil.

Ekspertiza paraprake mjeko-ligjore e kryer në Sarandë për Florian Kofinën, ka treguar se vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes. Paraprakisht dyshohet se viktima ka pësuar arrest kardiak dhe më pas është mbytur.

Personat, të cilët kanë gjetur fillimisht trupin e pajetë të 38-vjeçarit i kanë thënë policisë se dyshonin të jetë goditur me “jet ski”, pasi në distancë janë parë disa mjete lundruese. Për këtë arsye, grupi hetimor nisi punën duke kryer veprime në vendin e ngjarjes, për të parë nëse qëndrojnë apo jo dëshmitë.

Nga ekpertiza ka rezultuar se në trupin e 38-vjeçarit nuk ka asnjë dëmtim të jetë shkaktuar nga “jet ski”, përveç një gërvishtjeje të vogël në pjesën e gjoksit, për të cilën ekspertët dyshojnë se është shkaktuar nga përplasja me shkëmbinjtë pasi kishte ndërruar jetë.

Burime bëjnë me dije se mushkëritë i kishte të mbushura plotë me ujë, çka tregon se i riu është mbytur dhe nuk ka gjetur vdekjen nga përplasja me jet ski, e cila përndryshe do te shkaktonte prerje të shumta në trup dhe thyerje kockash, gjë që në rastin në fjalë asgjë e tillë nuk është konstatuar në trupin e Kofinës.

Gjithsesi, për të hequr çdo dyshim, trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë të dytë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Hetuesit kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje pronarin e jet ski dhe drejtuesin e saj, të cilët janë lënë të lirë pasi nga të gjitha të dhënat hetimore nuk kanë rezultuar të kenë pasur dijeni. Zona ku trupi i Florian Kofinës është gjetur konsiderohet e rrezikshme dhe ndalohet notimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT