Dorëheqja e befasishme – por e pritshme – e Rrumbullakut

Nga Vitjon Nina

Muhamet Rrumbullaku, pas thuajse ekzaktësisht dy vjetësh në krye të Policisë së Shtetit, ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të befasishme të enjten e 5 shtatorit në mbrëmje.

Dorëheqja e Rrumbullakut me të vërtetë mund të ketë qenë e beftë, por në thelb e pritshme dhe e arsyetueshme.

Një linjë e gjerë problematikash të mëdha në rangun e Policisë së Shtetit mund të kenë çuar në këtë dhe më së shumti, situata lidhet me krime të rënda.

Një seri vrasjesh në Shqipëri ende nuk kanë marrë përgjigje, edhe të ndodhura së fundmi, ku grupe kriminale mes njëri-tjetrit kanë marrë “haqet e zakonshme”.

Policia, përtej investimit që mund të ketë pasur, nuk ka arritur të kapë autorët të këtyre veprave, e ndonjëherë ka hasur vështirësi edhe në zbardhjen e ngjarjeve, të paktën sa i takon deklaratave publike.

Një problem ndërkaq Rrumbullaku, e ka pasur edhe me mediat, të angazhuara aktive në kronikë dhe shpesh edhe “mësuese” të Policisë për zbardhje detajesh, ku më së shumti prej tyre është mësuar rreth ngjarjeve të kobshme në vend.

Ajo çfarë ka qenë më shqetësuese megjithatë, ka qenë një deklaratë e Rrumbullakut, i cili akuzonte gazetarët se po përhapnin “fabrikime dhe akuza të ndyra” kundër Policisë së Shtetit, duke i cilësuar raportimet e tyre si “dezinformim të qëllimshëm”.

Po ashtu bëri të ditur se Policia e Shtetit do të marrë masa ligjore ndaj gazetarëve individualë dhe përdoruesve të rrjeteve sociale. Dhe mandej, u kërkoi gazetarëve të publikojnë vetëm lajmet, të cilat Policia dëshiron t’i vërtetojë përmes deklaratave të saja.

Këto parime të Rrumbullakut shkaktuan shqetësime në shtypin e përgjithshëm dhe një deklaratë reaguese ka pasur lidhur me çështjen edhe nga rrjeti “Safe Journalists”, i cili këto akuza penale ndaj gazetarëve, i pa si kërcënime reale.

“Vërejtjet e Rrumbullakut përfshinin një pohim shqetësues se vetëm versioni zyrtar i Policisë për ngjarjen duhet të konsiderohet i besueshëm, duke sfiduar kështu detyrën thelbësore të gazetarëve për të verifikuar informacionin përmes burimeve të ndryshme”, thuhej në reagimin e “Safe Journalists”.

Dhe përtej ndonjë vërtetësie se ka realisht media dhe portale, të cilat i kanë përhapur në të kaluarën lajmet e rreme dhe të pakonfirmuara dhe vijojnë ta bëjnë, detyra e mediave mbetet të kryejë funksionin e saj si pushtet i katërt dhe jo të komandohet në bazë të dëshirave të kryepolicit shqiptar.

Sigurisht që probleme ka pasur edhe së brendshmi për Rrumbullakun.

Policia e Shtetit po ristrukturohet përmes një ligji të ri, të cilin pritet ta adresojë edhe ministri i Brendshëm gjatë takimit të paradites që pritet më 6 shtator.

Procedura e përzgjedhjes së kreut të Policisë dhe drejtorëve vendorë përfshihen në këtë ligj, ku pozitat do të përzgjidhen tashmë me komision të posaçëm.

Problemi megjithatë kanë mbetur pagat dhe shpërblimet, me policë të pakënaqur për orare të tejzgjatura gjatë sezonit veror, mungesë punonjësish të rendit dhe orë të tëra shtesë të papaguara, të cilat pritet të adresohen sërish përmes ligjit të ri.

Rrumbullaku erdhi më 7 shtator 2022 në krye të Policisë së Shtetit dhe tashmë pas thuajse ekzaktësisht dy vjetësh po e lë pozitën, me ulje-ngritjet e veta dhe me dalje të pakta publike.

Kompetencat e tij janë të deleguara te zëvendësdrejtori i Policisë, Sokol Bizhga, sipas përcaktimeve ligjore. Por, vetë Bizhga mund të jetë një emër, i cili mund ta marrë edhe ai drejtimin e organit madhor ligjzbatues.

Pyetja gjithsesi qëndron një dhe e vetme, me largimin e Rrumbullakut: Çfarë ndryshon?

Back to top button
LAJMET E FUNDIT