“Trupin e hodhëm në ferra, të nesërmen e hodhëm në pus”, dëshmia tronditëse e shokut të Esmerald Ballës

Edison Brahaj, 25 vjeç, i akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e Enver Ballës, babait të Esmerald Ballës, ka ofruar detaje të rëndësishme dhe tronditëse përpara policisë. Brahaj, i punësuar si bari në familjen Balla, ka pranuar se ishte prezent gjatë krimit dhe ka ndihmuar në zhdukjen e trupit të viktimës.
Sipas rrëfimit të tij, më 13 gusht, ditën e krimit, ai ka qenë disa metra larg vendit ku është ekzekutuar Enver Balla. Ai ka dëgjuar dy të shtëna dhe më pas është thirrur nga Esmerald Balla për të ndihmuar në zhvendosjen e trupit të viktimës. Në fillim, Brahaj dhe Esmeraldi kanë fshehur trupin në ferra.
Në mëngjesin e 14 gushtit, ata janë kthyer për të marrë trupin dhe për ta hedhur në një pus pranë një tjetër stani. “E kemi lënë trupin në ferra në vendin e ngjarjes, dhe më pas në darkë e kam ndihmuar tërheqjen e tij. E kemi futur në furgon dhe e kemi dërguar te pusi. I hodhëm disa goma mbi trupin për të mos dalë nga uji,” ka deklaruar Brahaj. Për këtë ndihmë, ai ka marrë 2 milionë lekë të vjetra nga Esmeraldi.
Nga ana tjetër, Esmerald Balla ka deklaruar se i ka dhuruar Brahajt 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetra. Gjatë kontrollit në banesën e Brahajt, janë gjetur 145 mijë lekë të reja, që është një tjetër detaj që ngre pyetje mbi burimin e këtyre fondeve.
Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur të gjitha aspektet e këtij rasti.