VIDEO/ Skandali me shitjen e Diplomave dhe certifikatave false nga Tirana! Çifti Italian në qendër të hetimeve

Hetimet e Guardia di Finanzia në Itali kanë zbuluar një skandal të madh lidhur me shitjen e diplomave dhe certifikatave të falsifikuara nga Tirana për shtetas italianë. Në qendër të këtij mashtrimi janë dy administratorët e Kolegjit Universitar Wisdom në Tiranë, çifti italian Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano.

Sipas mediave italiane, Savino Cianci, i njohur edhe si Nino Cianci, dhe Lucia Catalano kishin premtuar të shndërrojnë Kolegjin Universitar Wisdom në një qendër të përparuar për edukimin në Ballkan, duke përfituar nga lidhjet e tyre në Shqipëri. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se çifti kishte korruptuar zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve. Njëra nga këto zyrtare, presidentja e Këshillit të Akreditimit të Ascal (Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), është raportuar se kishte marrë një çantë Luis Vuitton me vlerë rreth 1200 euro.

Savino Cianci dhe Lucia Catalano, të cilët u martuan në një dasëm luksoze në qershor të këtij viti, janë aktualisht në kërkim pas zbulimit të skandalit. Cianci kishte postuar shpesh foto nga jeta e tij luksoze në Shqipëri, përfshirë udhëtime dhe takime të rëndësishme me profesorë dhe zyrtarë.

Përveç Kolegjit Universitar Wisdom, çifti kishte disa biznese të tjera në Shqipëri dhe ishin aksionerë dhe drejtues të CS Consulting Group srl në Foggia, Itali. Sipas dosjes së prokurorisë italiane, Cianci kishte menaxhuar veprimtarinë kriminale dhe selinë e organizatës në qytetet Trani dhe Foggia. Ai akuzohet se ka organizuar ngritjen e zyrave të kompanive që përfitojnë nga fitimet e paligjshme në Shqipëri.

Dokumentet e prokurorisë italiane zbulojnë se universiteti Wisdom printonte diploma të falsifikuara, me pagesa që varionin nga 6,000 deri në 20,000 euro, në varësi të degës së specializimit. Disa diploma ishin falsifikuar si të Universitetit La Sapienza të Romës. Një person është raportuar të ketë paguar deri në 9,000 euro për një specializim, ndërsa një tjetër ka paguar 19,500 euro për një titull master në shkencat e edukimit.

Në operacionin e Guardia di Finanza janë arrestuar gjithashtu edhe individë të tjerë lidhur me skemën e mashtrimit, përfshirë: Maria Saveria Modaffari, Fortunata Giada Modaffari, Maria Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale, dhe Maria Mdaraa.

Për momentin, nuk ka informacion të detajuar në lidhje me shtrirjen e hetimeve dhe operacionit të Guardia di Finanza në Shqipëri, por skandali i zbuluar ka ngritur shqetësime serioze për praktikën e korruptuar dhe falsifikimin e dokumenteve akademike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT