Ditën të lirë, natën në qeli! Si do të funksionojë “burgu i hapur” në Ali Dem, ja kategoritë që do përfitojnë

Është bërë funksional edhe në vendin tonë “Burgu i natës” si shlyerje e dënimit në mënyrë alternative.
Përmes një shkrese një muaj më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi të gjitha gjykatat në vend, prokurorin e përgjithshëm dhe kryeprokurorin e SPAK, se është bërë funksional burgu i hapur në Tiranë.
Shkresa mban datën 30 gusht dhe iu shpërnda 23 institucioneve të drejtësisë, përfshi të gjitha gjykatat e të dyja shkallëve, KLGJ dhe KLP si edhe shefes së ekzekutimeve të vendimeve penale për t’u treguar adresën e burgut të hapur. Burgu i hapur gjendet në ish-burgun e grave në zonën e “Ali Demit”.
Kategoria e të burgosurve që mund të fitojë burgosjen gjatë natës dhe ditën të jetë i lirë janë shtetasit që u ka mbetur më pak se 6 muaj dënim për vepra të lehta dhe me kushtin që komisioni penitenciar ta vlerësojë të parrezikshëm, si edhe kushdo që gjatë gjykimit është dënuar me gjysmë liri.
Por, kjo s’do të thotë se burgu nuk ka gardianë. Përkundrazi, rojet e burgut qëndrojnë në detyrë me turne si kolegët e tyre në çdo burg. I dënuari hyn në orën 17:00, qëndron gjatë natës dhe del herët në mëngjes. Në pesë vjet, në të gjithë vendin gjysmë liria është aplikuar vetëm për 97 persona, një shifër kjo e argumentuar e përfillshim për shkak të mungesës të një burgu të hapur.
Para dy ditësh, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose njoftoi në rrjetet sociale se burgu ishte gati pwr tu populluar.
“Jemi gati për të populluar burgun e hapur ‘Ali Demi’, strukturën më të re në Shqipëri. Ky projekt i financuar nga qeveria shqiptare dhe me mbështetje të British Embassy Tirana në rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, pritet të përgatisë personat në konflikt me ligjin të përshtaten sa më natyrshëm në jetën qytetare. Faleminderit z. Duncan Nutt, Ekspert i Përmirësimit të Operimit të Burgjeve, dhe z. Adam Connolley, Drejtor i Burgut të Hapur HMP Haverigg në Mbretërinë e Bashkuar, për kontributin e tyre në trajnimin e stafit tonë”,- shkruante ai.
Kurse dje Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me mbështetjen e Ambasadës Britanike, njoftuan se po finalizon përgatitjet për popullimin e burgut të hapur “Ali Demi”. Ky investim synon përmirësimin e sistemit penitenciar përmes rehabilitimit dhe riintegrimit më të shpejtë të të burgosurve që po përgatiten për t’u rikthyer në jetën qytetare. Me ndihmën e ambasadës britanike, është siguruar mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës dhe trajnimin e burimeve njerëzore për menaxhimin e këtij institucioni të ri i kësaj natyre.