Marrëveshja Shqipëri – Itali për emigrantët, Kurti: Si mund të sigurohemi që të drejtat e individëve po respektohen?

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës në një intervistë për Euractiv është pyetur në lidhje me modelin e qendrave të emigrantëve si ato në Gjadër dhe a duhen ndjekur edhe nga vendet e tjera të Europës.
Kurti është shprehur se një përsëritje e marrëveshjes së emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një zgjidhje e qëndrueshme, duke theksuar shqetësimet për të drejtat e njeriut.
Ai thekson se ndërtimi i qendrave të riatdhesimit, si ato në Shqipëri në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, mund të rrezikojë respektimin e të drejtave të individëve të burgosur.
“Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri mund të ndërtohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e individëve të burgosur të respektohen?”, u shpreh ai, duke shtuar se qendra të tilla do të rëndonin në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Kurti sugjeron se një pranim i përkohshëm i emigrantëve mund të shqyrtohet në rast urgjence, por thekson nevojën për të trajtuar çështjet njerëzore me kujdes.
“Po flasim për qenie njerëzore këtu, të cilat duhen trajtuar me kujdes”, është komenti i tij.
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e sheh marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë si një model të suksesshëm, duke i inkurajuar vendet anëtare që ta përdorin si referencë për të përballuar krizën e emigrantëve.
Po ashtu, kryeministri britanik Keir Starmer shprehu interes për marrëveshjen, duke theksuar rëndësinë e saj në adresimin e kërkesave për azil të emigrantëve që përpiqen të arrijnë Italinë.