Një fëmijë i lindur në mes të trazirave, 10 efektivë të lënduar / Çfarë ndodhi në 3 orë protestë

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita, protesta e djeshme u shoqërua me një “mosbindje civile” të vërtetë, ku u panë të hidhen shumë shishe molotov, të thyhen stacionë autobusësh e reklama në qytet, si dhe të plagosen 10 efektivë policie.

Pak para protestës, rreth 1000 forca policore shiheheshin të patrullonin në disa nga rrugët kryesore të Tiranës për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

Protesta nisi në orën 18:00, sapo disa prej deputetëve të PD, si Flamur Noka e Gazment Bardhi, dolën nga zyra e selisë blu për të udhëhequr turmën fillimisht drejt kryeministrisë.

Në këtë protestë pa fjalime, nisi menjëherë përplasja e protestuesve me uniformat blu që ishin vendosur gardh përpara kryeministrisë.

Megjithatë kjo nuk i ndaloi shumë prej protestuesve të hidhnin një mori lëndësh plasëse si dhe shishe molotov, ku në një moment u pa dhe të merrte flakë pema përpara kryeministrisë.

Po ashtu u panë t`u vihej flaka gomave dhe kazanëve të mbeturinave. Mosbindja civile e protestuesve më pas filloi të përhapej në pjesë të ndryshme të Tiranës, ku në objekt të tyre ishin godinat qeveritare.

Ndalesa e radhës ishte tek selia e Partisë Socialiste ku një shi bombash molotov u lëshuan drejt godinës, ndërsa një banderolë e madhe me një foto të kryetarit dhe kryeministrit socialist Edi Rama, e vendosur në fasadën hyrëse, mori flakë. Policia ndërhyri për të shuar zjarrin si dhe përdori sërish gazin lotsjellës. I njejti skenar u përsërit pak më pas, disa qindra metra më larg, pranë ndërtesës së ministrisë së Brendshme e pak minuta më vonë dhe drejt Bashkisë së Tiranës, ku policia përdori dhe pompat e ujit për të larguar protestuesit.

Molotovëve dhe flakës nuk i shpëtoi as Ministria e Brendshme, ndërsa në një moment shpëtoi mrekullisht edhe një punonjës policie. I njëjti skenar dhe tek ministria e Infrastrukturës e tek Bashkia e Tiranës. Parlamenti, institucionin të cilin tashmë e kanë braktisur për të dalë në rrugë, ishte tentativa por këtu policia, e cila deri në këto momente vetëm kishte menaxhuar situatën, i ndali me gaz lotsjellës protestuesit, të cilët u shpërndanë me shpejtësi.

Të tjera momente rebelimi pati në rrugë të ndryshme ku protestuesit u panë të godisnin edhe autoambulancën që po kalonte tek zona e 9 katësheve.

Një ngjarje e pazakontë ishte dhe një grua shtatzënë që u desh të lindte foshnjen e saj në automjet pasi mbeti në trafik.

Një protestues ka fyer dhe sulmuar me fjalë të rënda gazetaren e Top News, Alketa Shaba, që po raportonte live për protestën.

Protestuesi nuk është mjaftuar me fyerjet, por është afruar dhe ka goditur me grushta gazetaren dhe kameramanin.

Ka qenë ndërhyrja e disa qytetarëve të rastit që kanë ndaluar dhunuesin të bënte veprime edhe më të rënda.

Mbylljen e protestës bëri numri 2 i Berishës, Flamur Noka. Në një prononcim për mediat tha se ky ishte hapi i parë i mosbindjes civile dhe se aksioni do të vijojë. Se cilët do të jenë skenarët në vijim, Noka nuk dha detaje po këmbënguli në kërkesën e PD për qeveri teknike.

Vendimi për organizimin e protestës së djeshme u mor nga forumet e larta të Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit dënoi me një vit burgim deputetin e saj Ervin Salianji. Kjo lëvizje është paraprirë nga disa atë force të opozitës në parlament ku fillimisht deputetët e opozitës dogjën karriget e tyre, para godinës ku zhvillohen seancat. Pak ditë më pas tensionet mbetën të larta kur ata tentuan të pengojnë hyrjen e deputetëve të shumicës në sallën e parlamentit.

Opozita ka njoftuar se ajo po nis një betejë pa kthim e cila synon sipas saj, të garantojë votën e lirë të shqiptarëve, duke këmbëngulir në një qeveri teknike që të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Eksponentë të ndryshëm të saj ditët e fundit në deklarata mediatike kanë përdorur tone të ashpra duke lënë të kuptojnë se çdo lloj reagimi është i justifikueshëm ndërsa kanë vënë në dukje dënimin e zotit Salianji të cilin e konsiderojnë si hakmarrje politike, apo dhe moszbatimin nga shumica të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në rastin e mandatit të ish ministres Xhaçka.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT