PAMJE LIVE, uragani “Milton” mbërrin në Florida, regjistrohen efektet e para

Këto janë pamjet direkte nga Florida në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që po goditet nga uragani Milton i kategorisë 4.
Erërat e forta me shpejtësi mbi 200 km/h kanë krijuar tornado të rrezikshme dhe të mëdha. Kjo është stuhia më e madhe në 100 vitet e fundit në Florida.
Shumë qytetarë kanë braktisur banesat e tyre dhe janë larguar pas paralajmërimeve të qeverisë amerikane, por dhe të vetë Presidentit Biden, i cili e konsideroi situatën tepër të rrezikshme për të qëndruar.
Ka dhe nga ata banorë që nuk janë larguar, dhe për këta të fundit, një njoftim rrëqethës është bërë nga autoritetet amerikane, duke u kërkuar atyre banorëve që nuk largohen të shënojnë me shënjues emrin e tyre në krah. Kjo për shkak që të jenë të identifikueshëm nëse trupat e tyre gjenden të pajetë.
“Mund t’ju duhet që të shkruani emrin tuaj në dorë në mënyrë që kur t’ju gjejnë më vonë ta dinë se kush jeni”, tha Prokurorja e Përgjithshme e Floridas.
Uragani “Milton” sapo ka nisur të godasë Floridan në SHBA dhe situata më e keqe pritet orët në vijim, kur do të lërë pas shkatërrim të madh.
Erërat më shkatërruese të Miltonit janë ende disa orë larg bregut të Floridës, por erërat e forta dhe shiu i dendur tashmë po godasin shtetin.
Zona e Tampas në Florida pritet të goditet më rëndë nga uragani “Milton”.