Përplasjet në protestën e opozitës, reagon Ilir Meta: Dhëmb për dhëmb deri në përmbysje

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas përfundimit të protestës së deputetëve të opozitës brenda dhe para Parlamentit, ku nuk munguan as përplasjet fizike.
Përmes një reagimi në Facebook, Meta shkruan se e dënon me ashpërsi kërcënimin me armë zjarri dhe kanosjen e jetës së deputetëve të opozitës, pretendime të cilat u hodhën poshtë përmes një videoje të publikuar nga Policia e Shtetit, ku dallohej qartë që efekti kishte në brez një sprai dhe jo armë.
Më tej, Meta shkruan se “e vetmja alternativë mbetet përballja dhëmb për dhëmb deri në përmbysje”.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe kërcënimin me armë zjarri dhe kanosjen me jetë të deputetëve të opozitës, në ambientet e Kuvendit, nga Narkopolicia.
Ky akt shumë i rëndë kriminal dhe antiligjor është dëshmi tronditëse e inkriminimit të strukturave të Policisë së Shtetit, që në emër të mafias në pushtet dhe për llogari të saj, guxojnë të kanosin me jetë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.
Kjo ngjarje e paprecedent është prova e radhës e fytyrës kriminale të Narkoshtetit, që jo vetëm burgos dhe përndjek politikisht opozitën, por edhe e kërcënon me jetë.
Përballë kësaj junte që i drejton armën deputetëve të opozitës, e vetmja alternativë mbetet përballja dhëmb për dhëmb deri në përmbysje!”, shkruan Meta.