U vetëflijua në kullën e tij për të mos rënë në duart e forcave malazeze, Oso Kuka shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Heroi shqiptar Oso Kuka është shpallur nga qeveria shqiptare “Dëshmor i Atdheut”.

Kuka u vetëflijua brenda kullës së tij në Vranjinë për të mos rënë në duart e forcave të Malit të Zi në mbrojtje të kufijve shqiptar në vitin 1861.

Përpara ceremonisë u inaugurua edhe një pllakatë e vendosur në muzeun historik të Shkodrës që mban emrin e Oso Kukës dhe 27 bashkëluftëtarëve të tjerë të rënë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Shaqir Vukaj, ish-drejtues i lartë thotë se janë me qindra emra të tjerë që kanë dhënë jetën për vendin por shteti shqiptar i ka lënë në një neglizhencë të plotë duke mos i dhënë statusin e “Dëshmorit të Atdheut” ndërsa mungojnë edhe studimet dhe dokumentet historike.

“Është një hero legjendar, të cilin të gjitha qeveritë, nga Zogu e këtej, nuk janë marrë me të. Ne si organizatë jemi marrë dhe ia arritëm më në fund të shpallim dëshmor atë dhe shokët e tij. Duhen shumë dokumente, por fatmirësisht për Oso Kukën ka pasur shumë materiale”, thotë Vukaj.

Një kërkesë organizata e “Dëshmorëve të Atdheut” ka edhe për Presidencën që të nderojë Oso Kukën me titullin më të lartë të shtetit shqiptar.

“Oso Kuka e meriton. Ata që merren me këtë punë ta dëgjojnë zërin e këtyre njerëzve”.

Ish-kryetari i Kuvendit Namik Dokle thotë se ata që kërkojnë të denigrojnë statusin e dëshmorit janë në një prapambetje të madhe.

Një i afërm i Oso Kukës falënderoi për shpalljen Dëshmor i Atdheut.

“Ishte një nga djemtë trima që kurrë nuk i ka munguar Shkodrës. Akti i tij heroik ka frymëzuar dhe do të frymëzojë brezat”, tha Orhan Kuka. “Kjo familje i ka dhënë vendit breza luftëtarësh për mbrojtjen e atdheut”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT