Vrasja e protestuesve në mes të bulevardit/ Berisha “injoron” 21 Janarin: Të çon drejt të shkuarës

Kreu demokrat Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka folur për protestën që pritet të zhvillohet me 7 tetor.
Por pyetjet e gazetarëve e çuan pas në kohë, pikërisht më 21 janar të vitit 2011, kur në bulevardin para kryeministrisë u vranë 3 qytetarë që ishin duke protestuar. Teksa SPAK ka rinisur hetimet për dosjen e bujshme, sot Berisha u përpoq ta shmangte këtë temë, duke vijuar me të njëjtat akuza.
Ai e cilësoi këtë ngjarje si një mashtrim, që u ndërtua mbi falsifikim dhe etjen gjakësore të Edi Ramës. Berisha shtoi se 21 janari të çon drejt të shkuarës dhe nxitoi menjëherë të vërë theksin në protestën e 7 tetorit.
“21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, falsifikim dhe etje gjakësore për pushtet të Edi Ramës dhe bandës së tij”, tha Berisha, gjatë konferencës për mediat.
Një ditë më parë, në SPAK u depozitua një audio, ku pretendohet se komunikojnë gardistë, pak përpara se të ndodhnin vrasjet e 4 demostruesve në bulevard, por edhe pas krimit të rëndë.