“I lidhën me tela me gjëmba e i tërhoqën zvarrë”, krimi brutal i bandës së “Vakëfit” që tronditi Beratin!

Prokuroria e Beratit ka kërkuar 25 vite burg për shtetasin Byniamin Hajro, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin.
Kjo ishte e vetmja ngjarje që i kushtoi dënimin kapobandës Byniamin Hajro dhe njerëzve të tij, që është torturimi dhe vrasja e shtetasve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema në 2 qershor të vitit 1997.
Ata u morën peng, u lidhën me tela me gjemba në garazhin e banesës së Bujo Çamit.
Aty u torturuan për 24 orë.
Bledar Pema, 13-vjeçar aso kohe, pa gjithë skenën se si u torturua i vëllai.
Të katër personat lidhën me një tel te ganxha e rimorkimit nga mbrapa, të një makine Golf me ngjyrë gri me targa Berati, trupin e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullait.
Dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin Vakëf.
Aty i lyejnë me benzinë dhe u vënë zjarrin. Familjet e viktimave nuk guxuan të denoncojnë.
Vite më vonë, dëshmia e Bledar Pemës vuri para akuzës Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazmend Hoxhën.