Rizbulimi i fuqisë potenciale të diasporës shqiptare

Nga Ylli Pata
Shqipëria e Konferencës së Londrës ishte një ngastër e copëtuar, ku një pjesë e të cilës ishin protektorat, ku përfshiheshin pjesët strategjike të kufijve por veçanërisht bregdetit si ishuj e gadishuj.
Por pjesa më tragjike e atij epilogu traumatik ishte vulosja e spastrimeve etnike të kryer nga vendet fqinje ndaj popullsisë shqiptare, duke e zvogëluar në shifra të papërfillshme. Ç’ka është qëllimi në një spastrim etnik. Në vitin 1944, popullsia e Shqipërisë nuk i kalonte 800 mijët, e aq ishte edhe Kosova, me një shtesë te as 200 mijëshe në Luginën e Pollogut në Maqedoni, Mal të Zi, apo Luginën e Preshevës.
Por në një periudhë gati 4 dekadash, ndryshe nga pritshmëritë e planeve strategjikë të fqinjëve, popullsia shqiptare pati në rritje numerike progresive. Sa në vitet 80 të shekullit të shkuar, shqiptarët në Ballkan ishin 3 milion e gjysëm në Shqipëri, 2 milionë në Kosovë, 500 mijë në Maqedoni, 200 mijë në Mal të Zi, gati 100 mijë në Luginën e Preshevës. Në një takim elektoral në vitin 1982, Enver Hoxha mbajti një fjalim politik nacionalist ku thuhej se shqiptarët nuk janë një shtet me 3 milionë por një komb me 7 milionë.
Fjalim i cili edhe sot pas dyzetë e ca viteve, është shumë i ndjekur në youtube. Në thelb, logjika e një tharje të shqiptarëve çfarë ka qenë në planet e antagonistëve ballkanikë kishte dështuar.
Pasi A-ja e faktorizimi të një populli apo kombi është faktori demografik. Mjafton të shikohet lufta mes Izraelit dhe arabëve palestinezë për të parë se më e rëndësishme se bombat apo raketat, faktori kryesor është te demografia.
Shqipëria pas vitit 1991, nisi një proces emigrator, ku gjithashtu u prekën edhe pjesët e tjera të trevave shqiptare.
Proces që sot po hyn në dekadën e katërt. Por edhe ky fenomen nuk e dëmtoi ashtin kombëtar të shumicës së popullsisë. Sprova më e madhe ishte fenomeni i vaftisjeve dhe ndryshimit të emrave të një numri të madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Që edhe pse e bënë këtë për arsye pragmatike, nuk e prekën fare thelbin e tyre identitar. Siç kishte shumë shqiptarë që kanë marrë pasaporta bullgare për arsye po pragmatike, por që ndihen edhe më shumë shqiptarë para se ta bënin këtë akt. Një fakt që është përsëritje në në të vërtetë, pasi edhe shqiptarët e ish-Jugosllavisë, edhe pse kanë pasur pasaporta me elemente të ndryshuara, kurrë nuk e prekën ashtin identitar.
Madje edhe ata zona ku asimilimi shumëvjeçar ka qenë i madh dhe i egër, është rikthyer çështja e identitetit. Kjo si te ortodoksët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, apo edhe në Mal të Zi, shqiptarët e Novi Pazarit, apo të Çamërisë, arvanitasit e lagjes Plakë të Athinës, apo Peleponezit, Naflios etj etj. Madje deri në Mandricë të Bullgarisë, në Odesë të Ukrainës, apo Anadolin e paanë, shqiptarët shpërthyen në mikrofonët e televizioneve nga Tirana, Prishtina, Tetova, Shkupi apo Presheva, që të flasin e qajnë në gjuhën e nënës.
Ky është shpërthimi i radhës i fuqisë potenciale të një faktori demografik edhe më i fuqishëm sesa ai homogjeni. Ku shqiptarët sot i gjen në çdo vend të botës, dhe kanë aq sa mundet një peshë të tyre specifike. E cila me kalimin e viteve ka lënë një gjurmë të rëndësishme dhe më shumë se kaq, janë faktorë dhe aktorë në vendet ku ata japin kontributin.
Përveç hiperbolizimit që zakonisht ndodh jo vetëm tek ne, shqiptarët sot në Greqi janë një faktor real demografik, social, ekonomik, kulturor dhe së fundmi politik.
Kur një pjesë e mirë e shqiptarëve të Greqisë emigruan masivisht në Britaninë e Madhe apo SHBA, Greqia e ndjeu mjaft ikjen e një force superaktive për punë që jo vetëm e kishte nënvlerësuar në vitet e para, por e kishte përçmuar dhe deri edhe bullizuar. Ndaj pas viteve 2000, shteti grek shpejtoi integrimin e shqiptarëve që ishin një popullsi aktive, e aftë dhe me rëndësi për jetën e komuniteteve ku jetonin.
Një vit më parë, dy kryetarët e bashkive të Athinës e Selanikut erdhën në Himarë për të përkrahur Fredi Belerin, por sa u kthyen humbën thellë në zgjedhjet lokale. Natyrisht që humbja nuk u erdhi nga shqiptarët, por edhe nga shqiptarët, që në dy metropolet greke kanë një peshë specifike të caktuar.
Në SHBA, si në zgjedhjet e 2020-s, edhe sot, shqiptarët janë joshur si nga republikanët edhe demokratët në shtetet kyçe. Në zgjedhjet e së martës, kjo peshë është rritur, pasi në Pensilvania, Miçigan, apo Wisconsini, madje edhe në Arizona, numri i shqiptarëve nuk është shumë i vogël. Por pesha e tyre rritet edhe më shumë kur diferenca ndërmjet Donald Trump edhe Kamala Harris është shumë e ngushtë.
Në Itali, shqiptarët në rajonet e Veneto-s, Emiglia Romagnas, Lombardisë, apo Piemontes, janë kyç natyrisht më shumë në zgjedhjet bashkiake, gjë që e tregojnë edhe zgjedhja e tyre në këshillat komunalë. Po ashtu në Zvicër, Belgjikë apo edhe Gjermani, duke shkuar deri në vendet skandinave. Para pak ditësh, një eurodeputet që përfaqësonte Suedinë, foli shqip në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një botë me një kontekst demografik të theksuar ku komunitetet marrin një peshë të caktuar, gjithçka ka marrë një formë të re.
Para pak ditësh në Britaninë e Madhe ndodhi e paimagjinueshmja, Partia Konservatore e shtresës aristokratike angleze, drejtohet nga Kemi Badenoch- alias Olukemi Olufunto Adegoke Badenoch, bijë emigrantësh nga Nigeria.
Në këtë kontekst, turi i Edi Ramës me mërgatën shqiptare në Greqi, Itali e SHBA, ka një peshë specifike përtej entuziazmit të pritshëm e të ligjshëm të shqiptarëve që jetojnë prej vitesh jashtë vendit.
Ku asnjë ditë nuk e kanë ndërprerë marrëdhënien me atdheun e origjinës, jo vetëm në aspektin njerëzor e familjar, por edhe pjesëmarrjes shoqërore.
Mediat shqiptare online, kanë pjesën e luanit të lexuesve të tyre shqiptarët e diasporës. Që këtë herë kanë mundësinë të votojnë. Riaktivizimi i kësaj energjie po jep një fuqi të shtuar jo vetëm për jetën e vendit, pore dhe ka efekte të rëndësishme në vendet ku ata jetojnë, e që janë bërë të domososhëm dhe të çmuar për rolet që luajnë në shoqëri. Një rol që ka fuqinë e vet në aspektin sasior, por më shumë në atë cilësor në kohën e vendin e duhur.
Mjafton të theksohet fakti se edhe pse shumica e shqiptarëve jetojnë në Nju Jork, pesha e tyre në votën e së martës në SHBA nuk është aq sa shqiptarët e Pensilvanisë, shtetit ku sipas të gjitha gjasave do të alë Presidenti i ardhshëm amerikan.
E ku votat e shqiptarëve po i peshojnë realisht me flori. Ndaj dhe aksioni politik i Edi Ramës, ka arritur të ketë një impakt të rëndësishëm politik e diplomatic, që sipas të gjitha gjasave “nuk kemi parë gjë akoma”.
TemA