Shkrimtari: Emigrantët shqiptarë, po asimilohen!

Shkrimtari nga Presheva, Lis Bukuroca ishte i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV ku foli për ardhjen e tij në Shqipëri pas 30 vitesh. Ai tregon për Shqipërinë kur e vizitoi në 1993-shin, edhe vizitën për 31 vitesh, që e shtangu sepse Shqipëria e 1993-shit, e zymtë, e dëshiruar, nuk ishte më.
Zoti Bukuroca foli për shqiptarët në emigrim, për të cilët tha se nuk dallojnë aspak nga evropianët, ndryshe nga emigrantët që vijnë nga vendet e lindjes. Por përkrahas saj, zoti Bukuroca shtoi, se shqiptarët në emigrim, po humbin identitetin, po asimilohen, duke qenë të detyruar të përshtaten me jetën në vendin ku kanë zgjedhur të jetojnë.
“Ne emigrantët jemi të traumatizuar jashtë vendit tonë. E pashë kryeministrin Edi Rama në Greqi që u premtoi mësimin e gjuhës shqipe, por ai duhet të dijë që ne shqiptarët asimilohemi në vendet ku kemi emigruar. Është folklorizëm të mendohet se nipat tanë, do të flasin shqip. Është e pamundur. Është fakt që në brezin e katërt, të gjithë janë asimiluar. Përjashtim kanë bërë vetëm hebrejtë, popujt e tjerë janë asimiluar të gjithë. Fëmijët tanë duan të jenë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vendin ku jetojnë. Ata duan të flasin gjuhën e tyre, duan të sillen si ata.
Asimilimi është edhe psikologjik. Po ju jap një shembull, ne emigrantët në Gjermani, i ngjajmë më shumë gjermanëve se sa shqiptarëve. Sepse shoqëria nuk të pranon, nëse je ndryshe nga ata. Duke i humbur të gjitha lidhjet sociale që ne kemi me njerëzit tanë, ne bëhemi fiks si ata”, u shpreh zoti Bukuroca në Dritare TV./L.F-dritare.net