Dosier statistika/ Grabitësit e arit në tri regjime, nga Ahmet Zogu te nazistët, komunistët e deri te Ilir Meta

Nga 320 ton ar që kishte Shqipëria në vitin 1922, çfarë ndodhi në një shekull me sasinë e arit shqiptar dhe cili ishte “gjermani i fundit”, kapterri nazist që me 28 nëntor 1944 u largua nga Shqipëria duke grabitur 13.519 napolona flori ose 80,7 kg ar.

Grabitja e arit nga udhëheqës të të njëjtit shekull, nga Ahmet Zogu te diktatori Enver Hoxha e më pas tek kryeministra të tranzicionit, është bërë shpesh lajm në media. Disa statistika mjaft interesante i gjejmë në “Raportin e komisionit të përkohshëm të verifikimit të thesarit”, paraqitur në Kuvend në tetor 1991, nga deputeti i PD-së Blerim Çela. Një komision i posaçëm parlamentar u ngarkua nga Parlamenti verën e vitit 1991 për të verifikuar sasinë e arit që dispononte Shqipëria. Për rreth katër muaj, komisioni verifikoi të gjitha lëvizjet që ishin bërë në thesar me sasinë e arit prej vitit 1992.

Disa statistika interesante vijnë përmes komisionit që tregojnë menaxhimin e thesarit në tri regjime. Përveç inventarit në Bankën e Shqipërisë, komisioni u fokusua edhe tek kërkimet e dokumentacionit në Arkivën e Ministrisë së Brendshme si dhe në Arkivën e Shtetit. Sipas të dhënave të këtij komisioni pasqyruar në Kuvend në tetor 1991, gjejmë shifra, fakte e dokumente mjaft interesante për shitblerjen por edhe grabitjet e arit në Shqipëri në thuajse një shekull.

Viti 1922-1925 në Shqipëri kishte 320 ton ar

Në vitin 1922 u ngarkua nga Lidhja e Kombeve të Bashkuara Prof.Kalmes për t’i paraqitur një raport të hollësishëm komisionit financiar të Lidhjes, ku midis të tjerash thuhej: “Shqipëria posedon një stog të rëndësishëm metalesh të çmuara, të vlerësuara nga 50 deri 100 milionë franga ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stolira.

Në vitet 1922-1925 në Shqipëri, pa përfshirë stolitë, kishte në qarkullim dhe në thesar 100 milionë franga ari, përveç që nga të mërguarit dërgoheshin 6 milionë dollarë në vit. Po të konvertojmë minimumin e këtyre monedhave, që janë 50 milionë copë, me peshën në gram të çdo cope, del se në Shqipëri ka pasur 320 tonë ar.

Më 31.12.1933, sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit, në Shqipëri kishte në thesar 12.165.000 franga ari kartmonedhë, që mbulohej nga 7.225.000 franga ari ose 361000 napolona floriri, baraz me 2.3 tonë ar, që do të thotë se çdo frangë ari kartmonedhë mbulohej me 59% ar metalik.

Në vitin 1945, sipas fondit shtesë të Bankës së Shtetit Shqiptar, dosja nr.60, relacion mbi dëmet e shkaktuara nga okupatori gjerman, në sektorin e Bankës rezulton që përveç 2459 kg ar të marrë nga nazistët gjermanë, të jenë marrë edhe 13.519 napolona flori ose 80,7 kg ar të tjera nga kapteri Leder, kur ushtria po largohej nga Shqipëria më 28 nëntor 1944. Përveç sa më sipër, jepen edhe disa shifra në miliona franga shqiptare të marra nga ushtria gjermane, por që për mendimin tonë nuk qëndrojnë, sepse janë shënuar për efekt të marrjes sa më shumë ar nga shteti gjerman si dëmshpërblim për shkak të dëmeve që iu shkaktuan Shqipërisë nga lufta. Këtë e mbështesim me faktin se nuk ka asnjë bilanc të arkës së Bankës që  të vërtetojë këtë gjë.

Pas çlirimit të vendit, më 29.11.1944, sipas procesverbalit të firmosur nga Mitrush Kuteli dhe Abdyl Këllezi, rezulton që në kasafortat e Bankës ishin gjendje 90 kg ar.

Gjatë viteve 1945-1990 janë bërë sekuestrime ari, blerje ari nga popullata dhe prodhime nga Rubiku prej 1.7 ton.

Arkivi i Shtetit, nga viti 1947 deri në vitin 1980 jep të specifikuara 2017 kg ar të konfiskuar. Thesari jep 3029 kg ar të konfiskuar, ndërsa arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme jep 2509 kg. ar. Kë duhet të besojmë? Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka sekuestruar nga viti 1946 deri në vitin 1954 gjithsej 2384 kg ar të padokumentuar. Të dokumentuar për vitet 1949-1956 janë 1878, 4 kg ar. Në faqen 53 të historikut të armës së policisë, vëllimi i tretë, thuhet se në vitin 1952 sasia e arit të zbuluar ishte 1000 kg, në një kohë që në statistikën e zbulimit të arit sipas viteve, për vitin 1952 jepen vetëm 251,1 kg ar të sekuestruar.

Lind pyetja: pse janë këto diferenca në dokumentacionet e të njëjtit dikaster? Në përgjithësi dokumentacioni i depozituar në Arkivin e Shtetit nga Banka e Shtetit dhe Ministria e Financave nuk është i plotë. Për periudhën 1945-1982 mungojnë librat e arkës që pasqyrojnë blerjet e arit për 6-mujorin e parë të vitit 1960, të viteve 1945-1955, 1970, 1971-1975 dhe 1977-1980.

Lista e sekuestrimeve

Avdulla Kazazi deklaron se i kanë marrë 42 kg ar, Arkivi i Shtetit deklaron 12 kg ar, arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme deklaron 14,6 kg ar, në thesar janë futur 12 kg ar.

Alfons Dovana deklaron se i janë marrë 516 kg ar, Arkivi i Shtetit ka të dokumentuar 58,3 kg ar, arkivi i Ministrisë së Brendshme 58,1 kg ar, thesari ka 58,3 kg. Pak a shumë afrohen këto.

Aristidh Leka deklaron 432 kg, Arkivi i Shtetit 17 kg, arkivi i Ministrisë së Brendshme 17 kg, thesari 17 kg.

Ibrahim Velenxa deklaron 39 kg ar, Arkivi i Shtetit 388 gram, arkivi i Ministrisë së Brendshme zero dhe thesari 381 gram.

Vasil Konomi deklaron 5,7 kg, Arkivi i Shtetit 4,8 kg, edhe dy të tjerët nga 4,8 kg.

Mustafa Rexha deklaron 6,5 kg, Arkivi i Shtetit 3,3 kg, arkivi i Ministrisë së Brendshme 0,1 kg dhe thesari 3,3 kg.

Tahir Tahiri deklaron 19 kg, Arkivi i Shtetit 13 kg, arkivi i Ministrisë së Brendshme 13 kg, thesari 12 kg.

Rexhep Merdani deklaron 451 kg, Arkivi i Shtetit zero kg, arkivi i Ministrisë së Brendshme 29 kg, thesari zero kg.

Nuredin Shaqirbejtja deklaron 19 kg, Arkivi i Shtetit një kg, arkivi i Ministrisë së Brendshme një kg, thesari një kg.

Janë dhe shumë të tjerë.

Totali: me 14 deklarata janë 1913 kg, në Arkivin e Shtetit dokumentohen 114 kg, në thesar 114 kg, në arkivin e Ministrisë së Brendshme 151 kg.

Vetëm nga krahasimi që bëmë sipas dokumenteve që përpunuam në vitet 1945-1956, rezultojnë këto sasira ari të sekuestruara:

Arkivi i Shtetit thotë 1954 kg, futur në thesar 1957 kg, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar 2500 kg. Pra ka mbetur pa u futur në thesar 552 kg ar. Pra, ngado që ta kthesh, shifrat nuk përputhen dhe në thesar janë futur më pak. Ku është ari? Më mirë se ata që sekuestruan dhe urdhëruan, nuk mund ta dijë askush. Mendimi ynë është që të hapen procese penale duke bërë krahasimet emër për emër të të sekuestruarve për çuarjen deri në fund të këtij problemi dhe nxjerrjen e realitetit.

Në shtyp u bë shumë zhurmë se deri në vitin 1948 janë zbuluar nga organet e policisë 43.816.682 monedha ari, me përjashtim të shufrave, stolive të florinjta etj. (Shih historikun e Armës së Policisë).

Në qoftë se këto do të ishin monedha të arta, duke i konsideruar napolona, del se Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar 282 ton ar, që i afrohet deklaratës që ka bërë Prof. Kalmes në Lidhjen e Kombeve për gjendjen e arit në Shqipëri. Në fakt janë futur vetëm tre tonë ar në thesar. Ndërsa Arkivi i Shtetit jep në total sekuestrime, blerje etj. 2090 raste, në thesar janë bërë hyrje 1438 raste. Ku kanë shkuar 652 rastet e tjera? Sipas një njoftimi sekret të datës 9.10.1987 që ish-drejtori i përgjithshëm i Bankës së Shtetit zoti Andrea Nako i bënte Qeverisë, thuhet se nga prodhimi sigurohen 120-130 kg ar në vit. Ne po marrim minimalen, 120 kg në vit, shumëzuar me 22 vjet (1968-1990) dhe shumën totale të prodhimit për 22 vjet del 2640 kg ar, ndërsa në thesar janë futur 1777 kg ar. Për të saktësuar këtë problem duhet ngritur grup pune me specialistë për të kontrolluar dokumentacionin atje ku prodhohet. Përse nuk ka asnjë kontroll shtetëror e financiar gjatë 45 vjetëve mbi gjendjen dhe lëvizjen e arit?

Kujt i interesonte kjo mjegull dhe ky tym?

Vazhdojmë më tutje. Nga viti 1954 deri në vitin 1963 i janë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme 5 kg ar. Në vitin 1947 i janë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Jashtme 760 gram ar. Në vitet 1954-1961 i janë dorëzuar Ministrisë së Mbrojtjes Popullore 700 gram ar. Në vitin 1948 i janë dorëzuar Kuvendit Popullor 1,3 kg ar. I janë dorëzuar Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë 28 kg ar. I janë dorëzuar klinikës speciale për 10 vjet (1980-1990) 525 gram ar, me pagesë.

Siç e thamë më sipër, me shkresën nr.1353, datë 19.9.1991 u kemi kërkuar këtyre institucioneve të na përgjigjeshin për çfarë është përdorur kjo sasi ari, por trokitëm në vesh të shurdhër, sepse nuk na u kthye përgjigje, me përjashtim të Ministrisë së Rendit Publik e SHIK-ut, që deklarojnë se dokumentet financiare ruhen vetëm 10 vjet. Në ndërmarrje ruhen përjetë borderotë e dokumentacioni i arkës me vendime të posaçme qeverie, ndërsa dokumentacioni i arit u ruajtka nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm 10 vjet.  I është shitur Bashkimit Sovjetik më 31 gusht 1954, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.144, datë 2.2.1954, 224, 4 kg ar për blerje gruri. Kjo demaskon thënien e Enver Hoxhës për ndihmat që Bashkimi Sovjetik i paska dhënë Shqipërisë falas.

Me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.5, 430, 84, respektivisht të datave 7.1.1988, 7.12.1988, 8.3.1989, janë transferuar jashtë shtetit për veprime kambizmi 4072 kg ar dhe 15 mijë kg argjend, të cilat u shitën dhe kambizmi doli me humbje. Duke i vlerësuar në dollarë, këto bëjnë rreth 60 milionë dollarë. Kush përgjigjet për ta? Gjithë bota luan kambizëm, por me mend në kokë, ndërsa ata kanë luajtur bixhoz si shtet me paratë e popullit. Si mund të hidheshin në lojë vlera kaq të mëdha për një komb të vogël e të drobitur nga skamja e uria, i cili jo për faj të tij po mbahet sot nga ndihmat humanitare të botës perendimore, të cilën pushteti injorant komunist e përdhosi me shpifjet më monstruoze? Por bota e qytetëruar mbetet e qytetëruar. Ajo i hodhi prapa shpine fyerjet, se e kishte të qartë që populli lëngonte nën vargonj të rëndë e nuk ishte ai që mallkonte. Populli luftoi e lufton për liri e demokraci, prandaj dhe po ndihmohet. I janë dhënë Drejtorisë së Këmbimeve Valutore me Jashtë për tregtinë e jashtme, për blerje mallrash 3200 kg ar, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.271, datë 25.1.1990, me vendime të Këshillit të Ministrave nr.271, datë 4.8.1990, nr.429 datë 13.12.1990 dhe nr.225, datë 5.7.1900, nga të cilët me të drejtë kthimi 1800 kg, por që as sot e kësaj dite nuk janë kthyer.

Përfundimisht, nga sa parashtruam, nxjerrim këto konkluzione:

1. Në Shqipëri ka patur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim para datës 29.11.1944, sigurisht të vetëthesarizuar nga individët.

2. Ish-mbreti Zog ka grabitur, kur u largua nga Shqipëria më 7.4.1939, 183 kg ar nga arka e shtetit. Në qoftë se ka pasur më shumë, ai “ka qenë ari i tij”, theksohet në raportin e paraqitur në Kuvend nga Blerim Cela.

Në përfundim, nga 320 ton ar që kishte Shqipëria në vitin 1922, çfarë ndodhi në një shekull me sasinë e arit shqiptar dhe cili ishte “gjermani i fundit”, kapterri nazist që më 28 nëntor 1944 u largua nga Shqipëria duke grabitur 13.519 napolona flori ose 80,7 kg ar. Gjatë diktaturës, regjimi i grabiti borgjezëve shqiptarë dhe iu shtua thesarit, por në vitin 1990, në dhjetor, në thesar gjendeshin vetëm 1.239 kg ar. Gjatë tranzicionit, bien në sy diferencat në shifra ndër vite, sepse në fund të vitit 2010, rezervat e arit shqiptar ishin 1.6 ton, gjysma e asaj që kishte qenë në vitin 2000. Në vitet 2000-2002 ka drejtuar qeverinë kryeministri Ilir Meta dhe ai është akuzuar shpesh se ka grabitur një sasi të konsiderueshme ari në thesar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT