“E goditi Rusia”, ky është sistemi kundër-ajror që rrëzoi avionin me 62 pasagjerë nga Kazakistani

Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi aeroplanin e Azerbajxhan Airlines që ra në Kazakistan, duke vrarë 38 persona, thanë të enjten per Reuters katër burime me njohuri mbi gjetjet paraprake të hetimit.
Avioni qe kryente fluturimin me numer J2-8243 u rrëzua të mërkurën pranë qytetit Aktau në Kazakistan pasi u devijua nga një zonë e Rusisë jugore ku Moska ka përdorur vazhdimisht sisteme të mbrojtjes ajrore kundër sulmeve me dronë ukrainas.
Avioni u rrëzua në bregun përballë të Detit Kaspik pas asaj që mbikëqyrësit e aviacionit të Rusisë thane më parë se kishte një emergjencë që mund të ishte shkaktuar nga një goditje zogjsh.
Një nga burimet e Azerbajxhanit të njohur me hetimin për rrëzimin i tha Reuters se rezultatet paraprake treguan se avioni u godit nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore Pantsir-S.
Komunikimet e tij u paralizuan nga sistemet e luftës elektronike në afrimin në Grozny, tha burimi.
“Askush nuk pretendon se është bërë me qëllim. Megjithatë, duke marrë parasysh faktet e vërtetuara, Bakuja pret që pala ruse të jape sqarime për rrëzimin e avionit azerbajxhanas”, tha burimi.
Tri burime të tjera konfirmuan se hetimi azerbajxhanas kishte arritur në të njëjtin përfundim paraprak. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Zëvendëskryeministri i Kazakistanit Qanat Bozymbaev tha se ai as nuk mund të konfirmonte dhe as mohonte tezën se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi avionin.
I pyetur për mundësinë që mbrojtja ajrore ruse të kete qëlluar mbi aeroplanin, prokurori i transportit kazak për rajonin ku ra aeroplani tha se hetimi nuk kishte arritur ende në një përfundim të sigurt.
Kremlini, i pyetur para raportit të Reuters në lidhje me idenë se avioni ishte qëlluar nga mbrojtja ajrore ruse, tha se një hetim ishte në vazhdim dhe se do të ishte e pavend të komentohej derisa hetimi të dilte në përfundimet e veta./lajmifundit.al