Kosova në errësirë, Qeveria e Albin Kurtit thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike

Ditët e fundit shumë komuna të Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike.
Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se i gjithë ky qytet po përballet me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, ndërkohë ka kërkuar masa të menjëhershme nga Qeveria e KEDS-i.
Komuna e Ferizajt, sipas kryetarit Aliu, po përballet me gjendje të “pashembullt e të pandodhur më parë sa i përket furnizimit me energji elektrike”.
“Vetëm sot, mbi 5 orë pa rrymë i gjithë Ferizaj, e kjo gjendje po vazhdon edhe tani”, ka shkruar ai.
Ndërprerjet shumë orëshe të energjisë elektrike, sipas autoriteteve të Kosovës, kanë ardhur si pasojë rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ku si rezultat sistemi elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim.
Ministria e Ekonomisë ka apeluar te qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, “sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora 18:00-00:00”, meqë ngarkesa e madhe po e rrezikon rrjetin dhe po detyron që në disa vendbanime të ketë reduktime.
Ky dikaster ka kërkuar gjithashtu që qytetarët të përdorin “burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”.
Ndërkohë disa fshatra në rrethinë të Komunës së Prizrenit kanë paralajmëruar edhe protestë para ndërtesës së KEDS-it në Prizren, si pasojë e reduktimeve të gjata të energjisë elektrike.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, thirrjen e institucioneve të Kosovës për kursim të energjisë elektrike, sidomos gjatë orëve të pikës, e ka cilësuar “më shumë një arsyetim sesa një zgjidhje e mirëfilltë”.
Në një postim në platformën sociale, Facebook, Tahiri ka potencuar se Ministria në vend se të zgjas oraret e tarifës së lirë, qytetarëve u propozon “të shtojnë konsumimin e energjisë gjatë tarifës së shtrenjtë, e cila është tashmë e papërballueshme për shumëkënd”.
“Ndryshoni oraret, merrni masa të qëndrueshme – qytetarët tashmë përballen me vështirësi ekstreme për ngrohje dhe me çmime të papërballueshme”, shkroi ai.
Kosova aktualisht prodhon energji elektrike në dy termocentralet, Kosova A dhe B, që funksionojnë me thëngjill.
Por, shteti po ashtu importon rrymë me qëllim që të përmbushë kërkesat në rritje të konsumatorëve.
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), nëpërmjet një komunikate për media, njoftoi se me 13 dhjetor ka importuar energji elektrike me vlerë mbi 3.5 milionë euro, dhe atë vetëm për ditën e premten dhe një pjesë për ditën e shtune. (Albania Post)