Sulmi në tregun e Krishtlindjes, Manjani: Policia duhet të përdorë armët kundër keqbërësit, ose ndryshe ta bëjnë njerëzit vet

Ish-ministri Ylli Manjani thotë se Policia në çdo shtet europian duhet të përdorë armën e zjarrit kundër keqbërësve publik. Ai i referohet sulmit të mbrëmshëm në Gjermani, ku një mjek me origjinë saudite por me banim prej vitesh në Gjermani, shtypi me makinë një turmë njerëzish.

“Bindja që kam patur sa vjen e më betonohet: polici europian ka harruar të përdorë armën e zjarrit. Europa ka harruar të vrasë në vend kanosësit e sigurisë publike. Gjermanisë i sulmohen rregullisht sheshet e krishtlindjeve, sepse policia gjermane nuk asgjesoi asnjë nga sulmuesit e dhunshëm.

Në Francë policia ka vrarë keqbërës publikë, por vetëm post ngjarje në operacione kërkimi dhenpas përplasjeve të armatosura me keqbërësit. Në situatë lufte praktikisht. Në tërësi Europa ka diktuar policin pa armë zjarri (ose me armë zjarri që nuk e përdor).

Kjo edukatë absurde është në thelb një ftesë e hapur për çdo akt terrorist”, shkruan Ylli Manjani, duke theksuar se nëse polici, pra shteti, nuk e përdor armën kundër atyre që cënojnë sigurinë publike, atëherë i mbetet qytetarit të mbrojë veten.

“Mbetem përkrahës i idesë origjinale, sipas të cilës polici pajiset me armë zjarri për ta përdorur pa asnjë hezitim ndaj keqbërësit të dhunshëm. Çdo akt agresioni i dhunshëm ndaj policit dhe publikut legjitimon automatikisht përdorimin e armës së zjarrit. Përndryshe, nëse nuk e bën polici (shteti pra) do të duhet ta bëjë individi për të mbrojtur veten”, përmbyll ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT