VIDEO/ Demokracia që na erdhi prej diktaturës

“Do të doja më në fund t’u bëja një thirrje komunistëve shqiptarë, që ashtu si kurdoherë i kanë vënë gjoksin punëve të mëdha, të qëndrojnë edhe tani në ballë të luftës për realizimin programit të demokratizimit të jetës së vendit, që ka ndërmarrë partia jonë”.
Ky paragraf është shkëputur nga mesazhi që presidenti Ramiz Alia i drejtoi popullit, në 12 dhjetor 1990, nëpërmjet Televizionit publik shqiptar, pak momente pasi ishte themluar Partia Demokratike, e para parti opozitare pas 50 vitesh diktature në Shqipëri. Mesazhi erdhi pak orë pasi ishte shpallur pluralizmi politik, një vendim që paradoksalisht u mor nga pleniumi i Komitetit Qëndror të partisë shtet, PPSH. Ai flet për vështirësitë që do të kishte procesi i demokratizimit të Shqipërisë.
Ky qëndrim i Ramiz Alisë në këtë moemnt, më së pakti dëshmon për tendencën e tij dhe byrosë politike për të monitoruar cdo lloj lëvizje që po ndodhte ato ditë në Shqipëri. Kjo thirrje e pakuptimtë drejtuar komunistëve, mund të lexohet në shumë mënyra. Një prej tyre është edhe kontrolli që ata duhet të kishin mbi të gjitha zhvillimet politike që do të pasoheshin në historinë e vendit. Koha dëshmoi se kontrolli i komunistëve e dominoi historinë e politikës shqiptare në pluralizëm duke e lënë vendin në një tranzicion të stërzgjatur. Koha dëshmoi gjithashtu se procesi i përmbysjes së diktaturës ishte i negociuar.
Tema sjell detaje të rëndësishme të atyre katër ditëve të vrullshme 8-12 dhjetor kur i gjithë sistemi ishte ngritur në këmbë për të menaxhuar lëvizjen studentore që dukej se nuk vinte aq e papritur. Materialet audio që publikon sot Tema, flasin për biseda të rëndësishme nëpër korridoret e politikës së diktaturës që po prodhonte një elitë të re, e cila po dilte mundimshëm prej odave të errëta atje ku vendosej cili do të ishte në rreshtin e parë në elitën e së ardhmes.
Gjithsesi, lëvizja studentore mbeti në histori si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë. Janë katër ditë, ngjarjet e të cilave vlejnë ndoshta për më shumë se katër vjet. Data 8 dhjetor nisja e protestës së studentëve dhe ecuria e saj deri në themelimin e Partisë Demokratike në 12 dhjetor 1990. Është periudha e kthesës së madhe të këtij kombi, lënia pas e diktaturës, drejt lirisë së munguar thuajse përgjatë gjithë shekullit që shkoi. Janë djem e vajza të qytetit studenti, që guxuan pikërisht atë natë të 8 dhjetorit, të dilnin bashkë me protestën e tyre të grumbulluar prej kohësh nëpër shpirtra, për të shpërthyer në kryeqytet, atje ku e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, jetonte monotoninë e zakonshme. Për të gjithë ata që jetuan këtë natë e të tjera që pasuan, mbeten të pashlyera në kujtesë imazhet e asaj ngjarje të vrullshme që gjunjëzoi përfundimisht diktaturën e gjatë komuniste. Imazhet e fotot e atyre momenteve, na rrëfejnë guximin e të rinjvë që ia dolën të shtyjnë drejt greminës, sistemin e rrënuar komunist.
Në ditët në vazhdim, gazeta TemA do të sjelljë të tjera materiale audio, të cilat tregojnë për diskutimet e fshehta në forumet e udhëheqjes komuniste gjatë ditëve të fundit të diktaturës, si edhe biseda e momente nga liderët e linj që po dilnin në pah ditët e para të pluralizmit politik.