“Altin Dumani po i ngjan përherë e më shumë Adriatik Llallës”, analisti i njohur: “S’ka guxim për 21 janarin”

Analisti i njohur Skënder Mibxhozi thotë se SPAK ka pasur guximin të ngrejë dorën mbi një numër politikanësh që akuzohen se kanë mëkatuar me fondet publike, por nuk heton çuditërisht 21 janarin apo Gërdecin.
“SPAK ka pasur guximin të akuzojë me korrupsion Sali Berishën e Ilir Metën, por kur në dorë i erdhi një provë shtesë për 21 janarin, e ktheu mbrapsht atë si të ishte një rrobë e përdorur dhe pa vlerë” – thotë Minxhozi.
Ai shton se Dumani vazhdon të hetojë vjedhjet në të katër anët e horizontit të politikës shqiptare. T’i gjejë dhe t’i dënojë kudo që do të gjenden fajtorë pas tyre.
“Por të hetosh vjedhjet e të neglizhosh vrasjet, do të thotë të bësh drejtësi “a la carte”, me menu si në restorant, do të thotë të jesh selektiv dhe do të thotë të kesh frikë nga ajo ngjarje, apo edhe nga ajo tjetra që mori 26 jetë në Gerdec” – tha Minxhozi, i cili bën dhe një krahasim mes kreut të SPAK dhe iah-kryeprokurorit në arrati.
“Kur do të dënohet krimi shtetëror i 21 janarit? Kur do të marrë një fytyrë dhe një emër kjo masakër që la katër familje pa prindër e kryefamiljarë? Altin Dumani po i ngjan përherë e më shumë Adriatik Llallës që dilte para mediave dhe deklaronte “bëhuni gati se do ketë ngjarje”. E pra nuk ka nevojë të shohë më larg sesa vendimi Gjykatës së Strasburgut, për të gjetur shtegun procedural që duhet të ndjekë në hetimet e tij. Për të mos folur për malin e provave e rrethanave që hedhin dritë mbi ngjarjen.
Le ta bëjë këtë që të mos bindemi edhe më shumë sesa jemi të bindur, se krimi i 14 viteve më parë paska qenë kaq i fortë dhe frikësues, saqë i mbijetoi edhe drejtësisë së vjetër, edhe kësaj të resë. Pa hetuar dhe gjykuar 21 janarin shoqëria shqiptare dhe klasa e saj drejtuese nuk do të gjejnë qetësi dhe ekuilibër” – shkruan analisti.