“Gjurmoni luksin në rrjete sociale, udhëtime dhe kazino”, udhëzimi i ri në SPAK për të korruptuarit

Faqja online “Pamfleti” publikoi detaje nga një udhëzim i firmosur nga kreu i SPAK Altin Dumani, sa i takon hetimit financiar të subjekteve të SPAK.

Udhëzimi është një lloj manuali për të gjithë prokurorët, duke u treguar atyre mënyrën për gjetjen e pasurive të fshehura dhe për të zbuluar jetën e luksit që bëjnë njerëz të politikës dhe të krimit.

Nëse pas grumbullimit të të dhënave, ka dyshime se bëhet fjalë për pasuri të paligjshme, prokurorët shkojnë më tej duke rritur bashkëpunimin me agjenci brenda dhe jashtë vendit. Në udhëzim jepet dhe një listë me agjencitë e huaja që do të asistojnë në këtë aspekt:

Neni 12- Metodat e gjurmimit

1. Për mbledhjen e informacionit të nevojshëm për të kryer hetime financiare ose pasurore, prokurori dhe hetuesi iu referohet këtyre burimeve kryesore:

a) Informacioni nga burime të hapura;

b) Informacioni nga bazat e të dhënave shtetërore dhe private. Një listë e bazave të të dhënave shtetërore gjendet bashkëlidhur në Shtojcën e këtij Udhëzimi;

c) Informacioni nga agjencitë e ndryshme ligjzbatuese.

2. Për të mbledhur informacion nga burimet e hapura, prokurori dhe hetuesi përdor kryesisht motorët e kërkimit në internet. Informacionet e hapura përfshijnë llogaritë e krijuara në faqet e rrjeteve sociale, postimet në blogje, komente në forume online, profile në platforma profesionale si “LinkedIn”, galeritë e fotografive në internet, video të postuara në “YouTube” ose në platforma të tjera të ndarjes së videos, dhe historitë e publikuara në media online ose portale lajmesh. Këto burime përdoren veçanërisht për të përcaktuar rrethin e interesave dhe miqve të individit që është subjekt i analizës, stilin e jetesës, vendet e argëtimit dhe rekreacionit, pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme dhe automjetet që përdoren në të vërtetë, etj…

3. Nëse prokurori vlerëson se informacioni i pasqyruar në internet paraqet interes të lartë për hetimin e çështjes, dhe duke marrë në konsideratë nevojën për të paraqitur prova në gjykatë, për të konfirmuar të dhënat rreth përdoruesit të llogarisë, ai mund të kërkojë nga kompanitë përkatëse informacion rreth llogarisë elektronike.

4. Prokurori mund të kërkojë dhe mbledhë edhe informacion rreth komunikimeve me anë të postës elektronike (e-mail) të individëve ose organizatave nën hetim, të tilla si llogaria e përdorur nga personi dhe adresat IP nga të cilat janë dërguar ose marrë e-mail-et, korrespondenca e personit, personat me të cilët korrespondon personi nën hetim etj…

Neni 14- Bashkëpunimi me Organizata Ndërkombëtare

1. Në kuadër të hetimit financiar dhe gjurmimit të produkteve të veprës penale, prokurori mund të kërkojë bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare. Ndër këto organizata dhe rrjete ndërkombëtare mund të përmenden:

a) Eurojust, ndihmon në koordinimin e hetimeve dhe ndjekjes penale ndërmjet autoriteteve të ndryshme gjyqësore brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në luftën kundër formave të rënda të krimit të organizuar ndërkufitar;

b) Europol, ofron mbështetje analitike dhe informacione për hetimet që përfshijnë krime të ndërlikuara dhe të organizuara ndërkufitare, duke vepruar si një qendër për shkëmbimin e informacionit ndërmjet forcave të policisë në Evropë;

c) Rrjeti CARIN (Camden Asset Recovery Inter-Agency Network), është një rrjet ndërqeveritar i dedikuar për gjurmimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, i cili lehtëson shkëmbimin e praktikave më të mira dhe të informacionit midis vendeve anëtare; ç) Interpol, ofron një platformë për shkëmbimin e informacionit të ndjekjeve penale dhe bashkëpunimin policor ndërkombëtar për të luftuar krimin e ndërlikuar ndërkufitar; d) AMON (Rrjeti Operativ Kundër Pastrimit të Parave (AMON), është një rrjet informal i krijuar për të lidhur dhe lehtësuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e ekspertizës midis praktikuesve që punojnë në fushën e luftimit të pastrimit të parave;

dh) BAMIN (Rrjeti Ndërinstitucional i Menaxhimit të Aseteve Ballkanike), është një rrjet joformal praktikuesish, që punojnë në mënyrë operative brenda Zyrave ose Agjencive të Menaxhimit të Aseteve, ose brenda institucionit ose departamentit të mandatuar për t’u marrë me menaxhimin dhe asgjësimin e aseteve kriminale në juridiksionin e tyre;

e) SELEC (South East European Laë Enforcement Center), promovon bashkëpunimin rajonal në luftën kundër krimeve ndërkufitare në Evropën Juglindore, duke përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;

1. Pas mbledhjes së informacionit nga burimet e hapura dhe nga bazat e të dhënave të institucioneve zyrtare, prokurori në respektim të kërkesave të K.Pr.P. për përdorimin e mjeteve të kërkimit të provës, kryen një ose disa nga veprimet hetimore të mëposhtme, në varësi të faktit nëse hetimit kryhet në kuadër të procedimit penal apo ligjit nr. 10192/2009:

a) teknikat e posaçme të hetimit, të tilla si veprimet simuluese, infiltrimi në përbërje të grupit kriminal, dorëzimi i kontrolluar, përgjimi i komunikimeve, vëzhgimet;

b) sigurimin me anë të letërporosisë i provave që gjenden jashtë vendit;

c) sigurimin e provave kompjuterike, në respektim të dispozitave të procedurave penale; ç) kontrollin e transaksioneve financiare nëpërmjet ekspertizës kontabël, etj…;

d) kontrollin, i cili përfshin kontrollin fizik të vendeve, objekteve, ose personave për të gjetur dhe siguruar prova mbi profilin financiar të individit, të tilla si:

1.       dokumente mbi pasuritë e paluajtshme, automjetet ose pasuritë e tjera (dokumentet

2.       e pronësisë, faturat, kontratat tregtare dhe të sigurimit, kontratat e huasë dhe hipotekës, faturat e pagesës së interesit mbi llogaritë depozitë, faturat e pagesës së taksave, etj);

3.       çelësat e ndërtesave ose automjeteve;

4.       dokumentet mbi llogaritë bankare dhe kutitë e depozitave të sigurta;

5.       dokumente të kompanive tregtare;

6.       pajisjet elektronike, duke përfshirë telefonat celularë, smartphone-t, tabletat, kompjuterët;

7.       pajisjet e ruajtjes së informacionit (karta memorie, hard disk etj.).

dh) Marrja në pyetje e dëshmitarëve gjatë hetimit financiar për të marrë dëshmi, deklarata dhe informacione nga individë që mund të kenë njohuri rreth aktivitetit kriminal ose pasurive të fshehura. Dëshmitarët e marrë në pyetje mund të ndahen në tre kategori, si më poshtë: Dëshmitarë të interesuar për rezultatet e hetimit, janë ata të cilët identifikohet nga

1.       personi i dyshuar, ose nën akuzë si burimi i fondeve ose pasurive;

2.       Dëshmitarë të përfshirë në mënyrë të dyshuar në krim janë ata individë, të cilët bazuar në disa burime, lidhen me veprën penale, por provat e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për t’i kualifikuar këta individë si të dyshuar ose të akuzuar, ndërsa rrethanat objektive e bëjnë të domosdoshme pyetjen e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT