Rama: Izraelitët s’kanë asnjë interes që po na ndihmojnë, vetëm mirënjohje për çfarë bëmë gjatë Holokaustit. QSUT-në duam ta bëjmë në 5 vitet e ardhshme qendër ekselence teknologjike

Kryeministri Edi Rama, duke folur për bashkëpunimin me spitalin izraelit ‘Sheba Medical Center’, është shprehur se objektivi është ta bëjnë QSUT-në, në 5 vitet e ardhshme, qendër ekselence teknologjike.

Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se duke bashkëpunuar me ‘Sheba Medical Center’, procesi i organizimit për barnat, blerjen dhe menaxhimin e tyre, do të jetë më i lehtë.

Rama gjithashtu foli edhe për fondet për shëndetësinë, duke thënë se kanë 10-fishuar fondin për barnat që përdoren në Onkologjik, si dhe kanë shumëfishuar ilaçet e rimbursueshme.

“Një partneritet me të cilin kemi oportunitetin për të mësuar shumë gjëra, por edhe ti japim shqiptarëve dhe rajonit mundësinë e një shëndeti shëndetësor ekselent.

Puna në Onkologjik do të fillojë nga sot. Paralelisht po diskutojmë me lidershipin e spitalit për planin e zhvillimit strategjik. Qeveria do t’i përkushtohet planit në mënyrë serioze, sepse në fund të ditës ai plan ka edhe një faturë dhe ne do të bëjmë gjithçka si qeveri që atë faturë ta përballojmë.

Nga pikëpamja e infrastrukturës, po mbyllen kantieret me godinat e fundit që janë në procese ndërtimi  dhe rindërtimi. Duhet të punojmë shumë më tepër.

Do ta bëjmë QSUT në këto 5 vite të ardhshme qendër ekselence teknologjike, ky është objektivi dhe duke pasur parasysh nga çfarë mësova nga mjekët izraelitë, kjo është e mundur. Sepse shumë gjëra që i kanë në spitalin e tyre do t’i vënë në spitalin tonë.

Edhe procesi i organizimit për barnat, blerjen dhe menaxhimin e tyre, ne do të krijojmë një praktikë kombëtare.

Ne e kemi 10-fishuar fondin për barnat që përdoren në Onkologjik, kemi shumëfishuar barnat e rimbursuara etj. Por, problemi me distributorët e mëdhenj mbetet një problem, dhe partneriteti me spitalin izraelit do të na ndihmojë shumë, sepse duke qenë një partner i vogël do të kemi një përfitim të madh dhe ulje kostoje.

Është një bashkë administrimi në një farë mënyre, për të krijuar mundësit që në 5 vitet e ardhshme të kemi krijuar aftësinë për të menaxhuar një kompleks spitalor”, tha Rama.

Rama tha se specialistët e spitalit izraelit “Sheba Medical Center”, me të cilët do të bashkëpunohet për modernizimin e Spitalit Onkologjik, po e bëjnë këtë jo për përfitime personale, por për shkak të ndihmës që shqiptarët kanë dhënë për hebrenjtë gjatë Holokaustit.

“Miqtë nga Izraeli nuk kanë këtu asnjë interes. Nuk janë këtu për të fituar asgjë, as para, as reputacion, as ndonjë favor tjetër nga Shqipëria. Janë këtu për të na mbështetur dhe siç e dëgjuat nga fjala e Joelit dhe siç e kam dëgjuar unë, për t’i kthyer mbrapsht popullit shqiptar, në fushën e tyre, një borxh moral, për çfarë populli shqiptar bëri për hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore”, tha Rama para mjekëve të spitalit gjatë prezantimit të projektit.

“Dhe kjo mund t’i tingëllojë shumë e bukur për të qenë e vërtetë shumë kujt që nuk e njeh popullin hebre, kjo mund t’i duket retorikë shumëkujt që nuk e ka idenë se çfarë do të thotë për hebrenjtë Holokausti dhe çfarë do të thotë ndihma e gjithsekujt në atë kohë, ndaj qoftë edhe një hebreu të vetëm, por për të gjithë ata që e dinë se çfarë thellësie ka në shpirtin e popullit të Izraelit dhe vendi të veçantë ka në mendjen e popullit të Izraelit dhembjet e Holokaustit dhe gjithë, ai pak solidaritet që hebrenjtë gjetën ndërkohë që shumica dërrmuese i trajtoi si mish për top, është absolutisht kështu dhe vetëm kështu”.

Rama shtoi se synimi është forcimi i kapaciteteve të shërbimit onkologjik, rritja e standardeve dhe sjellja e një zgjidhjeje moderne për qytetarët. “Do ta bëjmë QSUT në 5 vitet e ardhshme, një qendër ekselence teknologjike”, tha Rama.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT