VIDEO/ Arlind Qori: Sfidat e partive të reja, zgjedhjet e 11 majit dhe perspektiva e Lëvizjes Bashkë

Partitë e reja janë një nga risitë që sjellin zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë për TemA. Arlind Qori, drejtuesi i partisë Lëvizja Bashkë, flet në lidhje me sfidat që lindin nga përballja me sistemin, etiketimet e shpeshta si ekstremist i majtë, por edhe për raportin e tij me të shkuarën politike të Shqipërisë.
Qori ka rrëfyer se si nisi interesimi i tij për politikën gjatë adoleshencës edhe për shkak të mjedisit të ngarkuar me retorikë dhe ngjarje politike mjaft të tensionuara. Ai kujton gjithashtu edhe protestën e parë në të cilën mori pjesë në vitin 1997, në mbështetje të studentëve të Universitetit të Vlorës.
Ai u ndal gjithashtu edhe tek e reja në politikën shqiptare, ndërsa u shpreh se shpesh partitë e reja kanë lindur prej politikës së vjetër, gjë që sipas tij e ka bërë të pamundur për to që të fitojnë besueshmërinë e opinionit publik.
I pyetur në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit me grupimet e reja politike, Qori u shpreh se në situatën në të cilën po shkohet drejt zgjedhjeve të 11 majit, kërkohet një solidaritet i fortë reciprok dhe se ai një besim të tillë e ka vetëm ndaj anëtarëve dhe aktivistëve të partisë që drejton. Ai deklaroi se për rrjedhojë, Lëvizja Bashkë ka vendosur që të hyjë në këto zgjedhje si parti me kandidatët e saj.
Ndërsa refuzon kategorikisht bashkëpunimin me partitë e vjetra, ai u shpreh se mbetet për t’u parë se cilat parti të reja do të përfaqësohen në parlament pas zgjedhjeve dhe në varësi të qëndrimeve të tyre, do të vendosin nëse ekzistojnë mundësitë e bashkëpunimit në jetën parlamentare.