Vrasja e Lulzim Vishës, arrestohet një person. Dyshohet si bashkëpunëtor në krim

Burime për mediat bëjnë me dije se është arrestuar një person në lidhje me vrasjen e Lulzim Vishës. Bëhet fjalë për Eduart Lamin, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krim.
Për vrasjen e 48 vjeçarit, bëhet me dije po ashtu se blutë kanë kryer kontrolle në një banesë. Tek kjo e fundit është gjetur një armë tip pistoletë me silenciator.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e djeshëm ku viktima u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës. Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve paraprake, janë gjetur 12 gëzhoja pistolete brenda mjetit me të cilin po lëvizte viktima.
Deri më tani, ka dyshime për një hasmëri të mundshme mes viktimës Lulzim Visha dhe personave të tjerë. Para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.