Aldo Bare në kërkim të lirisë, bën rekurs në Gjykatën e Lartë për ulje të dënimit

Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, ka dorëzuar një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rishikimin e dënimit me burgim të përjetshëm dhe mundësinë e uljes së tij. Aktualisht, ai vijon të vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Më herët, ai kishte paraqitur një kërkesë të ngjashme në Gjykatën e Elbasanit, duke u bazuar në amnistinë e vitit 2014, e cila parashikon ulje të dënimit me 45 ditë për të burgosurit që nuk kanë shkelje disiplinore. Sipas avokatit të tij, Bare plotëson kriteret për këtë lehtësim ligjor.
Në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Lartë kishte lënë në fuqi dënimin e përjetshëm të dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda. Megjithatë, më herët, Gjykata Kushtetuese kishte urdhëruar rihapjen e çështjes për shkak të parregullsive procedurale.
Ish-drejtuesi i bandës së Lushnjës u arrestua në Turqi në vitin 2006 dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në fund të vitit 2009, nën masa të rrepta sigurie. Ai konsiderohet një nga emrat më të njohur të krimit të organizuar në Shqipëri dhe është dënuar për disa krime të rënda të kryera nga grupi që drejtonte për vite me radhë.