Gjaku nuk është harruar?! Dalin DETAJET e vrasjes në Laç, dy djemtë e viktimës në burg për vrasjen e Naim Tafës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të hënë në fshatin Vilëz të Laçit, ku 67-vjeçari Dodë Mamli u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij. Viktima u qëllua nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas burimeve për mediat, dyshohet se vrasja mund të ketë lidhje me hakmarrjen, pasi dy djemtë e viktimës ndodhen aktualisht në burg për një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2015, ku mbeti i vrarë Naim Tafa dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Vëllezërit Tom dhe Elton Mamli ishin përfshirë në një konflikt të armatosur në Mamurras me kushërinjtë Tafa, duke çuar në humbjen e jetës së njërit prej tyre dhe plagosjen e të tjerëve. Si rezultat, Tom Mamli u dënua me 33 vjet burg, ndërsa Elton Mamli me 26 vjet.
Hetimet po vijojnë për të identifikuar autorët dhe për të zbuluar nëse ngjarja ka motive hakmarrjeje apo lidhet me konflikte të tjera. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po kreh zonën për të gjetur gjurmë që mund të çojnë në zbardhjen e krimit.
Nga hetimet e Prokurorisë së Kurbinit, rezulton se:
Konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”. Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin.
Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre Range Rover. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.
Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të Trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment, kur ambjenti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz. Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, rezulton se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.