Guxon Edi Rama, “ia tërheq veshin” udhëheqësve botërore në samitin për Ukrainën: Ka ardhur koha për një reflektim të thellë, asgjë nuk është njësoj në Shtëpinë e Bardhë!

Kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në samitin që po mbahej për Ukrainën, ku udhëheqësit po diskutojnë për luftën në përvjetorin e tretë të pushtimit nga Rusia.

Kreu i qeverisë shqiptare ngriti shqetësimin se peisazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar rrënjësisht, duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë si dhe u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e injoronin realitetin e ri.

Rama tha se udhëheqësit po vazhdonin dialogun sikur asgjë të mos kishte ndodhur, kur në fakt në Shtëpinë e Bardhë gjithçka ishte ndryshe.

“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur siç e dini të gjithë dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si… Evropa si kontinent mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.

“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, tha kryeministir Edi Rama, deklaratë e pasqyruar në “Sky News”.

Ai ndër të tjera preku faktin që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe t’i imponohet një rezultat i padrejtë.

 “Ne kemi qenë prej kohësh në autopilotin amerikan. Tani autopiloti po duket i fikur. Askush nuk e di për sa kohë. Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme”, tha kreu i qeverisë, teksa në vijim ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj Ukrainës, duke thënë se vendi ynë do të vijojë të jetë krah tyre dhe aleatëve të saj.

Por ai tha se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit, anën ushtarake dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT