Pelivanët e RTSH-së: Rasti “Aurora Polo”, çfarë fshihet pas një votimi të anulluar të anëtarëve të Këshillit Drejtues

Gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar nxori në pah abuzimet, fijet klienteliste dhe kalbëzimin e një prej organeve drejtuese më të rëndësishme të këtij institucioni, Këshillit Drejtues, i cili është zgjedhur nga Kuvendi për të mbrojtur interesat e publikut.
Por, ndryshe nga sa i dikton Ligji për Mediat Audiovizive dhe Statuti i RTSH, anëtarët e Këshillit e ngrenë dorën për të mbrojtur interesat që ndikojnë drejtpërdrejtë në xhepat e tyre.
Sipas nenin 97, pika 2 të ligjit për Mediat Audiovizuale, anëtarët KDRTSH-së duhet të deklarojnë:
a) çdo interes apo lidhje me ndonjë subjekt, me të cilin RTSH-ja ka realizuar ose synon të realizojë;
b) çdo interes të mundshëm në ndonjë kontratë, që RTSH-ja ka realizuar ose synon të realizojë.

Gëzim Podgorica, nënkryetari i Këshillit Drejtues, është hapur në shkelje të këtij ligji dhe sipas nenit 100 pika ç të këtij ligji duhet të shkarkohet nga detyra dhe duhet të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë.
Podgorica është koordinator i Agjencisë Mediatike kineze SEHORA në Tiranë. Ai paguhet nga qeveria kineze me një pagë 7 mijë euro në muaj. Duke fshehur konfliktin e interesit Podgorica prej tre vitesh paguhet edhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë si nënkryetar i Këshillit Drejtues të RTSH.
Podgorica ishte edhe aksioner në biznesin mediatik Sehora deri në vitin 2023, në një kohë kur ishte emëruar anëtar i Këshillit të RTSH që në vitin 2021.


Kjo nuk është shkelja e vetme e Podgoricës. Përmes një shkresë të firmosur nga ish-drejtori Alfred Peza, Podgorica së bashku me Ilir Kekon, një tjetër anëtar i Këshillit Drejtues, shprehin interesin për realizimin e një dokumentari për babain e këtij të fundit, Endri Keko.
Po sipas këtij dokumenti, u ofrohet e gjithë mbështetja e nevojshme për realizimin e dokumentarit.

Veprimet me shkelje të këtyre dy anëtarëve të Këshillit nuk mbarojnë këtu.
Podgorica dhe Keko kanë qenë dy herë pjesë e delegacioneve të Festivalit Europian të Këngës. Duke mos patur asnjë lidhje me muzikën ata “shëtisin” me paratë e taksapaguesve dhe zënë vendin emrave me kontribut ndër vite në Festivalet e RTSH, si Irma Libohova, Luan Zhegu, Elton Deda, Shpëtim Saraçi e shumë të tjerë.
Aktualisht Këshilli Drejtues është përpara vendimit për zgjedhjen e drejtorit të ri. Jo rastësisht u mbështet një kandidate me emrin Aurora Polo. Kjo e nisi betejën për të marrë drejtimin e RTSH, duke publikuar një dokument që komprometonte Kryetarin e Këshillit Drejtues Leka Bungo dhe përmes një letre zyrtare kërkonte edhe shkarkimin e tij.
Bungo nuk i garantonte votën pro në garën për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së. Por nuk bëri të njëjtën gjë me dy anëtarët e tjerë të Këshillit, Keko dhe Podgorica sepse ata i kishin garantuar mbështetjen e tyre.

Është e rëndësishme të theksohet se zonja Polo e cila pretendon të marrë drejtimin e RTSH, nuk ka asnjë lidhje me menaxhimin mediatik, informimin dhe gazetarinë.
Statuti i RTSH ka përcaktuar qartë kriteret mbi të cilat duhet të bazohen anëtarët e Këshillit Drejtues për të zgjedhur drejtorin e RTSH. Neni 10, pika ç i statutit të RTSH parashikon që kandidati për drejtor i RTSH duhet: Të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet pozicione menaxhimi në media, institucione publike (jo administratë), sektori privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale.
Pas kërcënimit me shkrirje nga Kuvendi, Këshilli Drejtues i RTSH-së u tërhoq nga finalizimi i projektit korruptiv për të zgjedhur Aurora Polon në krye të RTSH, në shkelje flagrante të ligjit.
Si kurrë më parë, kundër katapultimit të një elektriçisteje partiake në krye të RTSH, u pozicionuan Partia Socialiste dhe Partia Demokratike që dominojnë Kuvendin, shumica e mediave në vend, vetë kreu i Këshillit Drejtues Leka Bungo, prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Asociacioni i Gazetarëve, SCIDEV-Center, Safe Journalists etj.
Dokumentet dhe të dhënat e mbledhura nga Prapaskena tregojnë se RTSH është një nga zgafellat publike më të frikshme të korrupsionit dhe klientelizmit. Të dhënat e burimet tregojnë se pas projekteve dhjetëra mijëra euro të RTSH fshihen disa nga anëtarët e Këshillit Drejtues dhe vetë Aurora Polo, histori për të cilën do flasim në vijim.

Polo, shoqen e ngushtë të vajzës së saj, Klaudja Murataj, e ka caktuar për dhënien e motit në RTSH, me ndërhyrjen e vajzës së saj.
Sekseren legjendare të të gjithë drejtorëve të RTSH, Eglantina Tafaj, e ka caktuar menaxhere orkestre në RTSH.
Modeles Beniada Nishani, e cila nuk mund të artikulojë një fjali në gjuhën shqipe, elektriçistja Polo i ka dhënë emision në RTSH, duke e kthyer RTSH-në në Portokalli.

Aurora Polo ka kapur dhe korruptuar edhe anëtaren tjetër të Këshillit Drejtues, Milena Selimi, e cila është angazhuar për shkeljen e ligjit.
Polo i ka dhënë një projekt në radio vajzës së Milena Selimit, Alesia Burnazi, pa eksperiencë, por si qokë për të blerë votën e Selimit.

Polo dhe rasti Tullumani
Drejtoresha e komanduar e RTSH, Aurora Polo ka emëruar gjithashtu dhëndrin e anëtarit Edmond Tullumanit, shef kabineti të drejtorit të RTSH, pra të kabinetit të saj, në konflikt interesi. Jo vetëm kaq, por dhëndri i Tullumanit është praktikisht (jo me letra) drejtor i informacionit në RTSH.
Vajza e Edmond Tullumanit, Romana Tullumani, ishte pjesë e jurisë së Festivalit të 63 të RTSH, bashkë me Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku dhe Jonida Maliqi. Juria e Festivalit ngrihet me vendim të Drejtorit të Festivalit. Drejtori i Festivalit është drejtori i RTSH, pra Aurora Polo.

Sipas rregullores, emërimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Jurisë së Festivalit bëhet me vendim të Drejtorit të Festivalit me propozimin e Drejtorit Artistik të Festivalit. Drejtori i Festivalit emërohet nga drejtori i RTSH, pra nga Aurora Polo.
Caktimi i Romana Tullumanit si pjesë e jurisë së festivalit është një qokë e Aurora Polos për babanë e Romanës, Edmond Tullumani. Në këmbim të këtyre interesave, Edmond Tullumani shpërdoron funksionin publik, duke mbështetur qorrazi me votë Aurora Polon për drejtuese të RTSH, në shkelje të ligjit.
Në RTSH e ka marrë rrogën edhe bashkëshortja e Edmond Tullumanit, Ranja Kovaçi. Zonja Kovaçi u shkarkua pasi nuk shkonte në punë, por qëndronte te çadra e Lulzim Bashës para Kryeministrisë në vitin 2017, duke kërkuar qeveri teknike dhe mbështetur Republikën e Re. “Ranja Kovaçi, arsyeja e zemërimit dhe shpërthimit tim të paraditshëm, që u largua padrejtësisht nga TVSH ditën e sotme…”, tha Basha në 4 mars 2017, në çadrën e Republikës së Re.
Marrë nga Prapaskena. VIJON