Pse KLP nuk ka reaguar për kërcënimet dhe akuzat e Sali Berishës ndaj Dumanit, Krajës apo Millonait?

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi sot lidhur me akuzat e fundit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit Ols Dado, i cili ka përpiluar një dosje hetimore, të cilën Veliaj e quan të montuar dhe të sajuar.
Por, përtej këtij reagimi, bie në sy një fakt domethënës: Ky është reagimi i parë KLP-së i bërë ndonjëherë, duke marrë në mbrojtje një prokuror. Ama, Olsi Dado nuk është prokurori i parë që mund të jetë akuzuar nga politikanë dhe nga mediat.
Sali Berisha ka më shumë se 1 vit, që kur nisi hetimi i tij për dosjen famëkeqe “Partizani”, i cili nuk ka lënë gjë pa thënë kundër Altin Dumanit nominalisht, si kreu i SPAK, por edhe vetë SPAK-ut, të cilën e ka quajtur më shumë se dhjetra herë “një organizatë kriminale”.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe me prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonait, të cilët i ka quajtur banditë dhe të lidhur me mafien.
Ndërsa për Altin Dumanin, Sali Berisha ka shkuar deri atje sa e ka akuzuar si të korruptuar, se ka marrë rryshfet, e madje ia ka ndërruar emrin në “Altin Lala” sepse sipas tij, Ymer Lala i ka dhënë një shumë të konsiderueshme Altin Dumanit.
A janë këto sulme të Berishës sulme personale ndaj një prokurori të SPAK? Madje, kreut të vetë SPAK?
A nuk duhet të kishte reaguar edhe në këtë rast KLP, KLGJ, GJKKO, për ta marrë në mbrojtje Altin Dumanin, siç bëri me Olsi Dadon?
Pse KLP zgjodhi të reagojë vetëm në rastin e Olsi Dados?
Për të kuptuar pak më shumë rreth sulmet e Sali Berishës kundër Altin Dumanit dhe vetë SPAK, lexojini të zbardhura më poshtë:
Sali Berisha: “Altin Dumani, Altin Lala, fjalën e kam për Ymer Lalën. Altin Lala i cili është i birësuar nga krimineli Ymer Lala me 1 mln euro. Organizata kriminale e Skapit të partisë, e kryesuar nga Altin Lala, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Do përfundojë në koshin e plehrave të historisë”.
Sali Berisha: “Çfarë mund t’i thuhet Dumanit të partisë, këtij të ndershmi, siç gabojnë verbërisht disa, që në 2016 do të deklaronte 3 apartamente, pa asnjë të ardhur tjetër përveç rrogës së shtetit dhe disa parave me përkthime nga e shoqja. Nga 3 apartamentet, Dumani i ndershmi i Edi Ramës, deklaron se njërin ja ka fal kisha. Duman-zaman je një mashtrues kriminel, që korrupton kishë dhe çdo gjë dhe të ka korruptuar Edi Rama”.
Sali Berisha: “Altin Dumani është bërë mburojë kryesore e veprave më të mëdha kriminale, vjedhjeve më të mëdha të shekullit të kësaj bande kriminale. Është bërë një vegël e shpifur në duart e Edi Ramës. Një lake që qëndron aty në kundërshtim me Kushtetutën dhe që mendon se mbështetja e të huajve do e mbajë atë në detyrë, mos harro se je prokuror i shqiptarëve, por për shqiptarët je një kriminel.
Sali Berisha për Arben Krajën: “A ia vlen të komentojmë ne këtu për një mashtrues të rëndomtë që qëndron në detyrë në kundërshtim me ligjin aktual të prokurorisë? Që nuk ka as ligj dhe as moral, edhe për faktin se është shkarkuar me ligjin e lustracionit, në fakt iniciativë e ish-Presidentit Sali Berisha, ai nuk ka tagër të merret me problemet që u mor dje apo në vazhdim. Ndaj, kjo është përgjigjja ime për të. Përgjigjja e saktë. Ky është problemi. Ai del e paska thënë që nuk është marrë me politikë. Por, a nuk është politikë të hysh në listat e kandidatëve? Po, a nuk ishte armë politike Sigurimi i Shtetit? Ishte arma më politike e Partisë së Punës së Shqipërisë. Më e besuara”.
Sali Berisha për Enkeleda Millonai: “Ajo është një bandite shteti. I them që ti je turpi i kësaj drejtësie. Ti shkel për interesat çdo normë, çdo etikë të funksionimit të një shteti”.
Sali Berisha: “Dumani është drejtues i asaj prokurorie që është shndërruar në prokurori politike”. Ka amnistuar krimin elektoral të zyrtarëve të lartë të shtetit. A ka njeri në botë që nuk e quan politike këtë prokurori. Pse Altin Dumani? Sepse është kryetari! Me ardhjen e tij në SKRAP, nisi veprimtaria kriminale e Skrapit”.
Sali Berisha: “Unë di që dosjet e krimit të madh elektoral, që përfshihen nga Edi Rama e poshtë, i mbyll Altin Dumani.”
Sali Berisha: “Të besosh se ai që fle mbi këtë krim monstruoz, ka vullnet, ai nuk ka asnjë vullnet, ai është një ushtar mjeran, fanatik i partisë, një ushtar i Arben Rakipit dhe Ulsi Manjës e Ymer Lalës.
Sali Berisha: “Por problemi është se në atë gjykatë nuk ka dy, por është një kryetare dhe kjo është Irena Spata, Irena me tre mbiemra. Ajo është gjykata speciale e shtetit. Po çfarë shteti është ai që vendos Irena Spatën në krye të gjykatës speciale? Ky është shteti i horrave, i banditëve, shteti i kriminelëve.
Sali Berisha: “Nuk ka ligj në botë që lejon që t’i të delegosh për vitin tjetër hetimin, kjo dëshmon se Dumani është një kriminel elektoral. Pasi dërgoi dosjen e Ulsiut dhe Edi Ramës tek Elizabeta Keshi, që nuk kishte asnjë lidhje me të, kjo është ish-prokurore në Peshkopi, dosjen e mbylli ajo, e zhvlerësoi dhe e bëri, Elizabetën e solli tani Ulsi prokurore në Tiranë. Mund të jetë anëtare KLP-je a ku ta di unë, e me radhë. Kështu që pikërisht kjo deklaratë dokumenton se Dumani është një kriminel elektoral që bën pazare në favor të partisë së tij, që amniston krimin elektoral se do fillojë nga janari e tutje”.