Zbardhet çfarë i tha Veliaj prokurorit Ols Dado në sallën e gjyqit: “Më burgosët mes fushatës, akt i pastër politik”

Në seancën e djeshme në GJKKO, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur disa pikëpyetje të forta lidhur me arsyet që sollën arrestimin e tij të nxituar.

Veliaj I është drejtuar prokurorit të dosjes, Ols Dado, duke e akuzuar se e ka burgosur për arsye politike, në një kohë kur vendi po shkon në fushatë zgjedhore dhe ai është Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës.

“Më burgosët në mes të fushatës dhe ky është një akt i pastër politik”, mësohet të ketë thënë Veliaj.

Më pas ai ka shtuar: “Më nxorrët me dhunë nga fushata. Por, unë jam më i lirë se ju sepse ju burgosjen e keni në kokë. Unë nga dritarja e qelisë time shikoj shkollën “Jeronim de Rada”, të cilën e kemi rindërtuar me Bashkinë e Tiranës, është një ndër mijëra veprat e mia, që kam bërë në këtë qytet. Kurse ju nga dritarja e zyrës tuaj shikoni burgun”.

Veliaj ka shprehur habinë edhe për arsyet e ndalimit të tij dhe se për këtë nuk ka pasur asnjë sqarim.

“Në 11 orë seancë, ende nuk e di pse kam arrest me burg; ende nuk e di pse jam këtu. Nuk ma keni shpjeguar”, ka thënë Veliaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT