“Duroj çdolloj salamandre, s’ka lidhje me…”, Rama: Vetëm unë mund ta çoj Shqipërinë drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se ky proces nuk mund të përmbushet nga askush tjetër përveç tij. Në një komunikim live në Facebook, ai theksoi rëndësinë e qeverisjes së tij për këtë qëllim, duke ironizuar opozitën dhe duke u shprehur kundër çdo përpjekjeje për të ndërhyrë në institucionet e drejtësisë, siç është SPAK.
“Është bufi i kënetës apo kushdo tjetër që thotë do shkrijmë SPAK, kjo nuk duhet dhe nuk do të ndodhë. Me futjen në BE, pasaporta e secilit prej nesh nuk do të jetë thjesht e Shqipërisë, por e Bashkimit Europian,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se lidhjet e tij dhe të qeverisë me partnerët europianë dhe ndërkombëtarë janë vendimtare për këtë proces dhe se askush tjetër nuk mund ta përmbyllë atë. “Unë e di si bëhet kjo punë dhe si mbyllet ky proces! Askush tjetër nuk e bën dot,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se vetëm PS dhe qeverisja e tij mund ta çojnë vendin drejt integrimit europian.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur Shqipëria vijon procesin e negociatave me BE-në, ndërsa debati politik në vend mbetet i ndezur mes mazhorancës dhe opozitës.
“Është bufi i kënetës apo kushdo qoftë që thotë do shkrijmë SPAK, kjo nuk duhet dhe nuk do varet më nga vullnetet e brendshme në momentin që jemi në BE. Standardet e bashkëjetesës demokratike dhe gjithë proceset e tjera janë pjesë e të jetuarit të përditshëm në familjen e madhe të Europës.
Për ta vizualizuar, kini parasysh me futjen në BE pasaporta e secilit nuk është më Republika e Shqipërisë me të drejtë lëvizje, por sipër aty do të shkruhet bashkimi europian. Kapërcim epokal që ia detyrojmë fëmijëve tanë, nuk ka lidhje fare e lagu se lagu bufi bishtin këtu në Shqipëri, jo po e majta, jo po e djathta.
Për sa kohë nuk jemi aty brenda, ka shumë rëndësi se kush qeveris sot këtu, dhe këtë e dinë dhe ata që nuk duan ta pranojnë, se këtë raport që kemi vendosur unë dhe PS dhe Europën dhe botën nuk e kemi pasur kurrë, dhe unë e di si bëhet kjo punë dhe si mbyllet ky proces! Askush tjetër nuk e bën dot. Dhe ndaj jam këtu dhe duroj lloj-lloj salamandrash, e insektesh”, tha Rama.