Gjin Gjoni: Drejtësi kishte kur isha unë gjyqtar, jo tani

Gjin Gjoni, o konsideruar si simbol i gjyqtarit të korruptuar dhe që u largua nga sistemi i drejtësisë, duke iu shmangur vetingut, sot është kreu i Partisë Demokratike për Lezhën.
I ftuar në televizionin e familjes Berisha, Gjoni tha se i gjithë sistemi i drejtësisë sot është nën ndikimin politik dhe ka bërë shkelje ndaj Berishës.
“Në bindjen time, unë them se po. Absolutisht sepse kanë qenë në një ndikim politik. E para, masat e sigurimit për një person i cili është në një moshë të caktuar, për më tepër lider i Partisë Demokratike.
Por përveç kësaj, masat e sigurimit janë marrë në kundërshtim me nevojat e sigurimit.
Dhe nevojat e sigurimit në rastin Berisha, që janë elementët e zhdukjes së provave dhe elementi i largimit të zotit Berisha, janë elementë që çdo njeri sot në Shqipëri e di që zoti Berisha nuk largohet kurrë.
Dhe pas një periudhe kohore kaq të gjatë nga momenti i kryerjes së veprës penale deri në momentin e fillimit të procedimit do ishin zhdukur provat me kohë”, tha ai, duke nënkuptuar se sistemi i vjetër i drejtësisë, ku bënte pjesë dhe ai, ishte më i mirë se ky i sotmi.