Listat trazojnë Kuvendin, Petro Koçi kritikon partitë për sistemin me lista të mbyllura

Etheve të zgjedhjeve të pritshme parlamentare të 11 majit iu shtuan edhe komentet nga deputetët për listat e kandidatëve që u publikuan një ditë më parë.

Në parlament, socialistët mbajtën qëndrimin e palëkundur se do të fitojnë më 11 maj. Po të njëjtin qëndrim mbajtën edhe deputetët e opozitës.

“Në këto zgjedhje, shqiptarët do të votojnë për ta bashkuar Shqipërinë me Europën. Ky është mandati ynë i katërt në qeverisjen e vendit. Është mandati historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Prandaj vota për partinë Socialiste më 11 maj është vota për Shqipërinë europiane,” u shpreh ministri i Shtetit, Taulant Balla.

“Shpresoj dhe besoj fort që parlamenti i ardhshëm do të jetë më produktiv, më i saktë dhe me dashamirësinë që kam për kolegët e mazhorancës, duhet ta them që Shqipëria do të ndryshojë në zgjedhjet e 11 majit. Opozita e bashkuar do të triumfojë në këto zgjedhje,” u përgjigj demokrati Ramadan Likaj.

“Rama është maniak i ndryshimit. Sali Berisha është maniak i prapakthimit. Prandaj shqiptarët do të votojnë me shumicë Partinë Socialiste dhe do i japin dërrmën kësaj opozite,” deklaroi deputeti Petro Koçi.

Megjithatë një propozim i veçantë erdhi nga ligjvënësi socialist.

“Unë qofsha i gabuar! Lista e hapur në nivel rajonal do të kthehet në varrin moral të politikës. Nuk duhet ta kishit bërë dhe unë uroj që parlamenti i ardhshëm për zgjedhjet e ardhshme ta ndryshojë ligjin,” tha z. Koçi.

Replikat në sallë nuk munguan, por ato ishin në nivel individual, duke shmangur komentet që i çojnë në përplasje palët si në seancat e kaluara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT