Milorad Dodik sulmon Rubion: Nuk di se çfarë bëhet këtu, beson gënjeshtrat e Biden

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i ka cilësuar si jo të sakta vlerësimet e Sekretarit amerikan i Shtetit, Marco Rubio, se veprimet e tij minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.

“Ai gabon kur e thotë këtë. Do të ishte mirë të lexonte se çfarë po ndodh këtu, dhe jo thjesht të merren për të vërteta narrativat e rreme të krijuara nga administrata e Biden”, ka thënë Dodik.

Dodik theksoi se Republika Srpska nuk mund të heqë dorë nga kërkesat e saj, pavarësisht se kush ndodhet në anën tjetër, duke vlerësuar se me këtë deklaratë, Rubio “ka bërë një sërë gabimesh”.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga objektivat dhe politikat tona, pavarësisht se kush është në anën tjetër. Ai ka bërë një sërë gabimesh. Sekretari i Shtetit nuk ka kohë, dhe unë e kuptoj këtë, për t’u marrë me detaje”, ka shtuar Dodik.

Dodik, i cili u dënua me 1 vit burgim dhe gjashtë vjet me ndalim të veprimtarisë politike, dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Srpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik më 26 shkurt u dënua me 1 vit burgim dhe gjashtë vjet me ndalim të veprimtarisë politike.

Dodik u dënua për kryerjen e veprës penale të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit së Lartë. Dodik nuk mori pjesë në shpalljen e aktgjykimit.

Ky ishte një vendim i shkallës së parë që mund të apelohet.

Dodik akuzohej për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Srpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT