Rama prezanton STRATEGJINË për ZGJEDHJET e 11 majit: Kombinim i eksperiencës dhe energjisë së re

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje mbi skuadrën që Partia Socialiste do të prezantojë për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si një kombinim të eksperiencës dhe energjisë së re. Në një deklaratë publike, Rama theksoi se lista e kandidatëve do të përfshijë figura me përvojë për të siguruar vota, si dhe emra të rinj që do të hyjnë për herë të parë në Kuvend.

“Skuadër perfekte nuk ka, por një skuadër shumë të mirë do ta keni. Do të jetë një skuadër e ripërtërirë, ku harmonizohet eksperienca me energjinë e të rinjve. Do të garantojë vazhdimësinë e procesit të integrimit europian dhe do të përfaqësojë në mënyrë të denjë kërkesat e kohës,” tha Rama.

Ai sqaroi se kandidatët me eksperiencë do të renditen në listën e hapur dhe do të luftojnë për vota për veten dhe për Partinë Socialiste, ndërsa emrat e rinj, që vijnë nga fusha të ndryshme të shoqërisë, do të jenë në listat e mbyllura.

“Dje bëmë të qartë vijën parimore të ndarjes së detyrave. Kush ka qoftë edhe një mandat, do të jetë në fushëbetejë për të marrë vota për veten dhe për PS. Në listën e mbyllur do të jenë ata që hyjnë për herë të parë në parlament, nga fusha të ndryshme të shoqërisë,” shtoi ai.

Kjo strategji vjen në një moment kyç për Partinë Socialiste, teksa synon të ruajë mbështetjen elektorale dhe të forcojë përfaqësimin e saj në Kuvend.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT