Aderimi në BE, qeveria ndryshon grupin negociator të Shqipërisë

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave vendosi disa ndryshime në përbërjen e grupit negociator të Shqipërisë për aderimin në Bashkimin Europian.

Qeveria vendosi zëvendësimin e ish zëvendësministres së Arsimit, Nina Guga, me Orjana Osmanin, zëvendësministren aktuale të Arsimit.

Po ashtu, Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave, negociatore përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 32 dhe 33, është zëvendësuar me Erjona Çelën, zëvendësministre e Financave, si negociatore përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitullin 33, si dhe Andi Memetin, zëvendësministër i Financave, në rolin e negociatorit përgjegjës për kapitullin 32

VKM:

V E N D I M  PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422,  DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT  E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Fjalët “Zëvendësministri i Financave, përgjegjës për tatimet dhe doganat” zëvendësohen me “Z. Florian Semani, zëvendësministër i Financave”.

b) Togfjalëshi “Znj. Nina Guga” zëvendësohet me “Znj. Orjana Osmani”.

c) Fjalia “Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 32 dhe 33;” zëvendësohet me “Znj. Erjona Çela, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitullin 33;”.

ç)  Pas paragrafit të fundit shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitullin 32.”.

2. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

The post Aderimi në BE, qeveria ndryshon grupin negociator të Shqipërisë first appeared on JavaNews.al.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT