Berisha pret në takim Eminenë: E njoha me narkoshtetin e Shqipërisë

Sali Berisha thotë se ka zhvilluar një takim me këshilltaren e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë për Ballkanin Perëndimor, Emine Lekaj Prljaskaj, të cilën e informoi për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe për situatën pas zgjedhjeve të 11 majit.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ky ishte një takim miqësor dhe i hapur, ku vlerësoi kontributin e znj. Lekaj Prljaskaj në përfaqësimin e denjë të komunitetit shqiptar në Kroaci dhe në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Prita në një takim miqësor këshilltaren e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë për Ballkanin Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, znj. Emine Lekaj Prljaskaj, ish-deputete me tre mandate në Parlamentin kroat.

Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë kroate dhe në forcimin e miqësisë Kroaci–Shqipëri,” – tha Berisha.

Sipas tij, gjatë takimit ajo u njoh edhe me situatën politike në Shqipëri, përfshirë edhe atë që Berisha e cilëson si “farsë elektorale” të zgjedhjeve të fundit.

“E njoha me zhvillimet e fundit në Shqipëri, farsën elektorale të 11 Majit 2025, në kushtet e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Në takim theksova se rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për votën e lirë është objektivi më madhor i PD dhe aleatëve të saj,” – shtoi ai.

Berisha e ka përshkruar takimin si një mundësi të rëndësishme për të ndarë shqetësimet lidhur me demokracinë dhe zgjedhjet në vend, si dhe për të forcuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Duke qenë se tashmë nuk e takon asnjë lider europian, Berisha publikon deklarata për takime në nivel këshilltarësh.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT