Si shkoi SPAK te Veliaj? Gazetarja jep detaje: Ashensori i brendshëm lidhte…

Gazetarja Aida Topalli në Euronews Albania ka komentuar sekuestrimin nga ana e SPAK e një apartamenti dhe një shtese të cilat dyshohet të jenë të Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Gjithashtu sipas gazetares është vënë re një ashensor i cili lidhte apartamentin ku jetonte Veliaj me këtë apartament dhe këtë shtesë të sekuestruar sot.
“Bëhet fjalë për një shtesë apartamenti dhe për një apartament. Pra bëhet fjalë për një pasuri që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është regjistruar në emër të një subjekti tregtar apo të një kompanie ndërtimi. Çifti Veliaj janë prej kohësh në hetim dhe shumë nga personat që kanë jetuar afër tyre janë marrë në pyetje. E njëjta gjë ka ndodhur me këtë pronë e cila nuk është deklaruar në pasuritë e Erion Veliaj dhe Ajola Xoxës. Gjatë kontrolleve në këtë apartament dhe në shtesën e të njëjtit apartament, ka pasur prova të cilat dyshohet të jenë të çiftit dhe kryesisht Ajola Xoxës. Dëshmitë kanë qenë të pastruesve, të mirëmbajtjes së ashensorëve dhe të pallatit. Një detaj i rëndësishëm është edhe një ashensor. Ka një ashensor të veçantë që e lidh me një apartament tjetër veç atij që jeton. Është konstatuar edhe ky ashensor që të dërgonte te ky apartament që është sekuestruar”, tha gazetarja.
Avokatët e kryebashkiakut kanë mohuar që ky apartament si dhe shtesa e sekuestruar me kërkesë të SPAK t’i përkasin Erion Veliajt apo Ajola Xoxës.