Të vritesh për një gërvishtje makine…

Mesditën e së shtunës, 3 maj, qyteti i Laçit u trondit nga një ngjarje e rëndë ku pesë persona, mes tyre dhe një grua e pafajshme mbetën të plagosur pas një konflikti për motive banale.

Menjëherë ata u dërguan drejt Spitalit të Traumës, por fatkeqësisht disa orë më vonë, njëri prej të plagosurve, 24-vjeçari Gerald Bitri nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Së fundmi, burime për mediat nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se njëri prej të plagosurve, Amarildo Ndoj vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. I riu po lufton me vdekjen, teksa bluzat e bardha po bëjnë të pamundurën për ta mbajtur atë në jetë.

Ndërsa, tre të plagosurit e tjerë, Liridon Ismaili, Daniel Gjelosi dhe shitësja e qirinjve e cila ndodhej në vendin e ngjerjes në momentin e gabuar, Angjelina Gjezaj, fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën dhe do vijojnë të qëndrojnë në spital.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit ku të rinjtë u përfshinë në një konflikt i cili agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Policia më herët tha se konflikti mes të rinjve nisi për shkak të një aksidenti rrugor me dëme të vogla materiale dhe më pas vijoi me përdorimin e armëve.

Klevis Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin.

Si fillim gjithçka ka nisur nga një sherr verbal për shkak të përplasjes së pasqyrave të automjeteve, të rinjtë e kishin lënë që të takoheshin më vonë për tu sqaruar pikërisht dhe ku ndodhi “fërkimi” i makinave, ku pesë minuta më vonë gjithçka agravoi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Ka qenë 28-vjeçari, Ndreca ai i cili hapi zjarr dhe më pas Gjeloshi. 28-vjeçari qëlloi tre të rinjtë, pra Gjeloshin dhe dy miqtë e tij, ndërkohë që i plagosur mbeti edhe shoku i Ndrecës si dhe shitësja e qirinjve Angjelina Gjezaj, 58 vjeç.

Ndërkohë, Gjeloshi nuk ka lënë të plagosur asnjë person, ndërkohë arma e tij është gjetur pak metra larg vendit ku ndodhi gjithçka.

Klevis Ndreca pas ngjarjes është larguar në këmbë dhe më pas është vetëdorëzuar në polici, i cili në dëshminë e tij është shprehur se ka qëlluar me armë zjarri pasi në ato momente ishte frikësuar sepse kishte parë që Gjeloshi ishte i armatosur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT