Edi Rama shfaqet krah biznesmenit të fuqishëm tunizian me aktivitet në Europë, SHBA dhe Lindjen e Mesme; çfarë po planifikon Kamel Ghribi në Shqipëri?!

Kryeministri Edi Rama është takuar me biznesmenin e fuqishëm dhe filantropin e madh tunizian Kamel Ghribi. Siç shihet dhe nga kjo fotografi, Ghribi dhe Rama janë takuar javën e kaluar në Tiranë dhe me interes mbetet të mësohet se çfarë ata kanë biseduar dhe çfarë po planifikohet në Shqipëri.

Kamel Ghribi është president i Gksd Investment Holding dhe nënkryetar i San Donato Group. Kompania është një ndër ofrueset kryesore të shërbimeve të menaxhimit të projekteve dhe konsulencës me një prani të fortë në treg në Itali, rajonet MENA dhe GCC.

MENA përdoret për vendet e Lindjes së Mesme, kurse GCC është Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe përbëhet nga gjashtë vende të Lindjes së Mesme, që përfshijnë Bahreinin, Kuvajtin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vetë filantropi i fuqishëm tunizian e ka përshkruar Shqipërinë si një vend të jashtëzakonshëm, i cili nga miqësia e madhe italo-shqiptare dhe lidhja e fortë Rama-Meloni, premton shumë.

“Një vend i jashtëzakonshëm, i qëndrueshëm dhe i sigurt ndodhet vetëm një orë fluturim nga Italia. Shqipëria është gati të mirëpresë bizneset italiane dhe mendoj se i gjithë sistemi italian i prodhimit dhe industrisë mund ta shohë me shumë vëmendje perspektivën e investimeve në Shqipëri.

Jam i sigurt se miqësia e madhe italo-shqiptare dhe lidhja e fortë e bashkëpunimit midis Giorgia Melonit dhe Edi Ramës janë një pikënisje e paparë për të ndërtuar një urë të qëndrueshme bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi të përbashkët”, është shprehur Kamel Ghribi.

I lindur në qendrën industriale të Sfax në vitin 1962, ai gjeti suksesin e parë në sektorin e naftës në të gjithë Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Tani, mbetet për t’u parë nëse veprimtaria e biznesit të tij do të shtrihet dhe në Shqipëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT