FOTO/ Reportazh nga Rruga e Arbrit, udha e një shprese, bri varfërisë
Nga Josif Papagjoni

Nuk e kisha shkelur “Rrugën e Arbrit”…
Me bensin komod të Sejdin Cekanit, tok me miqtë e mi prof. Ymer Çirakun dhe prof. Ferid Hudhrin, ia krisëm asaj rruge për qejf. Dhe tek lumturoheshim me punën e madhe që ish bërë mes maleve e grykave të kredhura në gjelbërim, si hymë e dolëm në nja 7 tunele, ura si dhe tunelin e Murrizit 3.8 kilometra, me famë për vështirësinë e ndërtimit dhe konstruksionin e hekurt të tij si një tub çeliku në zemër të malit, – i fshikulluar i “gjori” tunel mes shkumëzime të sharash e po aq lavdërimesh nga kahe të ndryshme të politikës, interesave gjer dhe anktheve, profecive të zeza e dashurive – ja ku mbërritëm më në fund në Peshkopi. Një orë e kusur shkon tani ajo rrugë. Meqë për 18 vjet kam qenë në festivalin e teatrit shqiptar në Dibër të Madhe, kam shkuar herë pas here me makinën time apo të miqve në Peshkopi. Edhe qyteti dukej se kish marrë një fytyrë tjetër. Sikur i gëzohej edhe ai kësaj rruge, që ish si aortë jete për të. Pedonalja e tij e famshme me dy radhët e blireve, që kur çelin të tërbojnë me aromën, ishte shtruar me gurë të fortë mermeri. Ishte kënaqësi të çlodhje këmbët aty. Një Skënderbe riosh asaj pedonaleje na futi në diskutim: a ishte arketipi i fytyrës prej strategu, gjenerali e shpatari, gdhendur së pari nga dalta e Odhise Paskalit, imazhi prej nga nuk duhej dalë portreti i Skënderbeut apo edhe fytyra prej një prijësi popullor, tek i frymëzon njerëzit e vet me një gjest ekspresiv thuajse urban, mund të jetë një tjetër imazh i Heroit tonë?! Skulptorit Sadik Spahia do t’i bëhej qejfi, sigurisht, që ne e sollëm dhe e përsollëm një copë herë të mirë veprën e tij ne mendimin tonë estetik!…
Njerëz të urtë e të kulturuar dibranët. Përherë të tillë kanë qenë. Tjetër lloj malësie. Më shumë e rrahur nga drita, urtësia, medjebukuria. Nejse, secila krahinë ka virtutet dhe vlerat e veta. Kësaj here qyteti, s’di pse, m’u duk si më me sqimë. As dy vjet s’kishin kaluar së fundmi. Një spikamë shprese dukej se lodronte mbi kryet e tij. Sigurisht rruga e re do të jetë vërtet një çlirim për banorët e Dibrës, mendoja, gjak i ri, ritëm, dinamikë, shans për zhvillim, lehtësim, ekonomi, turizëm. Është e paimagjinueshme kur mendoj kohën para pak viteve teksa shkoja nga Tirana në Peshkopi. Rruga të plakte. Qindra kthesa, hip e zbrit, reljeve alpine. Kujtoj Qafën e Buallit dikur motit, kur punoja në Pukë në fillim vitet ’70. Ecja natën me një shofer kokëkrisur të kromit, që për të mos e mposhtur gjumi, këndonte, gati ulërinte. Kërkonte muhabet. Unë dhe vëllai im ishim të raskapitur për veten tonë, na tundej koka, dhe ja… diku “Saureli” i tij frenoi fort. Poshtë makinës hapej humnera e zezë. Gëëëëëërrrr, ia bënë gomat. Dhe akulli. Dhe terri. Ramë në hon, bërtitëm. Dhe tmerri… ah ai tmerr, s’më ikën nga mendja! Sa herë kaloja asaj qafe, një rrëqethje ma dridhte mishin. Ishim bash aty, te Qafa e Buallit…
Ma behu ky kujtim i largët. Eh, moj Qafa e Buallit, ike, e humbe madhështinë e tmerrit ose tmerrin e madhërishëm, rruga e Arbrit të paska shmagur për bukuri, na e more të keqen! Tani rruga dredhon nëpër lëndina e kodrina. Skakierat e kromit kanë mbetur lart, në bark të malit, gati si një memorie e përgjakur. Dikur njerëzit e asaj zone kridheshin e hynin si buburecët nëpër vrimat e minierës, sidomos të burgosurit, por edhe sot ata që popullojnë fshatrat e rrethit të Dibrës dhe qytetit të Bulqizës, po atë punë e sakrificë bëjnë me thjeshtësinë dhe varfërinë e tyre prekëse e të pabëzajtë. Kjo rrugë është një blatim prej Zotit, një damar gjaku që do ushqej nesër gjësende të mbara… Ne u ulëm për një kafe në një lokal të ri. Peizazh i mrekullueshëm, ujë i pastër. Ishte i një emigranti që kishte investuar aty. Sot, mbase, nuk ka shumë fitim ky djalosh, por nesër me siguri lokali do bëhet edhe më i bukur, fitimet do të jenë edhe më të mëdha.
I pari mendim që me shkonte në mendje ishte e ardhmja. Ajo më vetonte trurit. E ndjeja nën lëkurë se shumë shpejt atyre anëve do të mbinin bujtinat, restorantet, fshatrat dhe resortet turistike, për të kaluar qoftë dhe një natë, ku mushkëria të të ngopej me oksigjen dhe syri të të këndonte si zog pylli nën gjelbërimin e paqmë dhe bimësinë e harlisur. Vetëm tani e kuptoj pse njerëzit duan të ikin nga qendrat e mëdha urbane, t’ia mbathin nga metropolet, të marrin arratinë dhe t’i bishtnojnë dendurisë së njerëzve në Tiranë. Sa shpejt, shumë shpejt gjithë ai pellg i blertë do të mbushet me aventurierë të rrugës, të piknikëve, pushtuar prej dëshirës për t’i ikur rrugëve të mbushura me makina dhe rrezik, tymrave dhe ajrit të rëndë, epshit metropolitan dhe t’i blatohen dëshirës për një “hektar qiell”, t’i përfalen instinktit të vet qenies për t’u strukur pak, fare pakëz në gjoksin e natyrës, për t’u bërë gjithsesi një “bir i saj”, të shtrihesh një grimë mbi lëndinë, t’i marrësh erë një fije bari. Budallallëk ta them, por vetëm tani e kuptoj më mirë Çehovin, Gollsuorthin, Bërnsin, Uitmanin, Kiplingun dhe shkrimtarët e nostalgjive të thukëta të blerimit. E gjora natyrë, gjithandej ose është shqyer nga këmba arrakate e burracakëve, ose është vrarë, ose lëngon nga sulmi i betonit si ajo kënga e famshme e Çelentanos. Andaj këto oaze duhen shpëtuar nga lakmitë e egra…
·
…Dhe nga Peshkopia ia mbathëm drejt Librazhdit. Një rrugë e re porsa ishte rikonstruktuar, bërë e re, ku mund të udhëtoje në qejfin tënd. Dhe këtu mendjen time e goditën si me çekan dy probleme. E para, në atë tokë të bekuar, kredhur mes gjelbërimit të harlisur dhe relieveve të bukura, me qindra lëndina, kodrina e çuka të buta, nuk shihje shtëpi. Pak, fare pak njerëz, sikur ecje në një humbëtirë. Pse s’ka fshatra? Shtëpitë qenë larg njëra-tjetrës, ngulur brinjave si në një urbanizëm të dobët. Ku janë zhdukur këta njerëz, ku janë të rinjtë? Nëse natyra po lulëzonte, njerëzit qenë zhdukur, kishin marrë arratinë, diku ia kishin mbathur ose jashtë vendit, ose qyteteve… Plaga e emigracionit i kishte gërryer ato pak katunde dhe kishte mbjellë aty një heshtje të frikshme. Sikur, larg qoftë, të të prishej makina diku, ku të gjeje një këmbë njeriu? Ku? Mbase nesër sytë e interesit ekonomik mund t’i riveshnin ato gryka, male e kodrina me pekulet e një jetë meritore, ku të buiste mirëqenia. Por kjo kërkonte vizion, zgjidhje, largpamësi. A kishin një projekt burokratët e qeverisë? Deri tani, jo.
Atyre anëve, që quhej Gollobordë, në fshatin Klenjë kishte punuar në vitet ’70 edhe vëllai im 6 vjet si mësues i shkollës së mesme bujqësore. Pata shkuar para gati 60 vjetëve aty. Kooperativa, në varfërinë e vet mitike, merrte 24 lekë për ditë pune. Jetonin vetëm me patate, makarona, oriz, ushqimet bazë. Nëse dje i mbante dora e hekurt e shtetit, po sot a i mban dot njerëzit me farfuri propagande? Si duhet ta ndalësh braktisjen? E kam në sy atë varfëri, e kam në sy atë fshat fshehur pas një gryke mali dhe Steblevën bri saj, ku kishte një stabiliment druri e një tufë punëtorësh të sharrave. Dikur andej kishte ahe të mëdhenj e të trashë, që i zvarrisnin me capina. Tani nuk pash asnjë. Asnjë për be. U zhbë një pasuri e pazëvëndësueshme nga trushkulja e kaosit ekonimik, tregtarve maskarenj, mungesa e shtetit dhe budallallëku i vete fshatarëve. Dora e egër e varfërisë, e mungesës së shtetit dhe e mendësisë së verbër “për të jetuar tani, nesër ka zoti”, i kishte qethur gjithë ato male, ku druri i ahut, perëndia e dikurshme e atyre maleve e grykave, hijeshonte natyrën. Po ku fle sot shpresa e këtyre njerëzve? Rëndom po ndërtojnmë një gënjeshtër: turizmi, turizmi, që do t’i shpëtoj të gjithë si në një magji! Po, turizmi është një nga shanset e mëdha, por nuk duhen harruar resurset e vendit që lipsen rigjallëruar. Dhe mbi të gjitha blegtoria. Blegtoria është një parajsv këtyre anëve, por infrastruktura është për tokë.
·
Tek shihja këto dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë të re gjarpëruar mes maleve, ma behu një mendim ndoshta paradoksal, sfidant, inatçor, hakmarrës. Pse kjo qeveria jonë investon para kohe rrugë të reja në zona thuajse të humbura, me pak njerëz, me pak leverdi ekonomike, me pak ose aspak gjasa dhe infrastrukturë turistike të ngritur e funksionale? Pse, bie fjala, rruga Tiranë-Durrës është kthyer në një torturë për mijëra e dhjetëra mijëra makina, duke u ndërkallur në shpirt njerëzve në vend të kënaqësisë dhe lumturisë, mërzi, inat, nervozizëm, stres, nga gropat e panunërta që e përshkojnë, sidomos korsinë e dytë. Unë e di se gjithçka bëhet për impakte populiste politike, për vota, ndikim dhe sidomos për zhvatje nga tenderat, të cilat kush dreqin mund t’i kontrollojë atyre gërxheve e humbëtirave?! Dikush i budallallepsur nga inatet politike thotë se në veri nuk janë derdhur fonde. Kjo është një gënjeshtër e trashë. Çka thash deri këtu vërteton të kundërtën. Por le t’i lëmë në shenjtërinë e tyre inatçorët dhe mendjegjymtët. S’kam pse e tjerr më gjatë këtë ide. Sepse teksa mbërritëm në një resort të ri turistik nja 20 kilometra larg Librazhdit, TROFTA BOROVE quhej, ku qenë mbledhur ujërat e një përroske malore dhe ishte krijuar një impiant peshku dhe një mjedis shlodhës, mendjen ma pushtuan rishmëzi flukset e optimizmit tim të “sëmurë” për të parë përherë të mirën, shpresën, gjallërimin, dritën e një ardhmërie që fitonte ditë pas ditë hapësirë.