“Konflikti ishte gati të shpërthente në luftë…”/ E zbulon Trump: Ndalëm Serbinë, që ishte gati të sulmonte Kosovën

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se administrata e tij frenoi në kohë përshkallëzimin mes Kosovës e Serbisë pak javë më parë.

“Ndalëm Serbinë, që ishte gati të vepronte…”, tha Trump në një konferencë për mediat të mërkurën, në përfundim të Samitit të NATO-s, teksa listonte numrin e konflikteve që kishte ndalur në javët e fundit.

Presidenti amerikan nuk dha detaje të tjera lidhur me atë që po ndodhte mes Kosovës e Serbisë, por disa ditë më parë, Trump u shpreh se paraardhësi i tij, Joe Biden, “e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë” mes dy vendeve, me disa vendime të cilat ai i quajti “shumë të marra”, por paralajmëroi se “do ta rregullonte këtë punë”.

Trump tha më tej se në mandatin e tij të parë, ai ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij, situata mes dy vendeve ishte përshkallëzuar me intensitet të madh.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke e përshkallëzuar situatën me intensitet, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në luftë”, shkroi Trump.

“Unë e ndala. Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të marra, por unë do ta rregulloj, përsëri!”, tha ai më tej.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT