SHBA ‘zbrazi’ bazën Al Udeid në Katar para sulmit iranian, ZBULOHET lëvizja sekrete

Një numër avionësh ushtarakë amerikanë janë larguar nga Baza Ajrore Al Udeid në Katar javën e kaluar, vetëm pak ditë para se Irani të ndërmerrte një sulm me raketa ndaj kësaj baze, në përgjigje të bombardimeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Sipas një imazhi satelitor të datës 19 qershor, të siguruar nga CNN, avionët u zhvendosën në mënyrë të koordinuar, si pjesë e masave të mbrojtjes së ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme, në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet Iranit dhe Izraelit. Dy zyrtarë të mbrojtjes konfirmuan se lëvizjet ishin të qëllimshme për të mbrojtur asetet dhe personelin amerikan nga ndonjë sulm i mundshëm.

Paralelisht, edhe të gjitha anijet luftarake të Marinës Amerikane të vendosura në Bahrein janë larguar nga baza detare “Naval Support Activity Bahrain”. Destinacioni i tyre nuk është bërë publik.

Sot, Irani lëshoi disa raketa në drejtim të bazës Al Udeid, por autoritetet në Katar deklaruan se të gjitha u kapën dhe neutralizuan me sukses nga sistemet mbrojtëse ajrore, duke shmangur çdo dëmtim apo viktimë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon thirrjet për vetëpërmbajtje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT