Sulmi fantazmë! Ky ishte momenti më i rrezikshëm për pilotët gjatë bombardimeve të tyre në Iran

Operacioni “Midnight Hammer” ishte një nga ndërhyrjet më të guximshme dhe të ndërlikuara të ushtrisë amerikane në dekadat e fundit. Shtatë avionë të padukshëm B-2 Spirit u ngritën nga baza ajrore Whiteman në Missouri pak pas mesnate dhe për 18 orë fluturuan përmes Oqeanit Atlantik dhe Detit Mesdhe për të goditur tre objektiva bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan.
Çasti më i rrezikshëm i operacionit ndodhi pikërisht në momentin e lëshimit të bombave, në orën 18:40 të së shtunës. Kur hapën dyert e ndarjes së armëve, avionët humbën përkohësisht një pjesë të aftësisë së tyre për t’u fshehur nga radarët, duke u bërë të prekshëm nga mbrojtja ajrore iraniane. Megjithatë, pilotët e përgatitur arritën të përfundojnë misionin pa humbje.
Secili avion mbante nga dy bomba GBU-57 të peshës rreth 15 tonë secila, të afta për të depërtuar deri në 18 metra beton ose 61 metra tokë para shpërthimit. Këto armë u përdorën për herë të parë në një mision real.
Përveç avionëve bombardues, edhe nëndetëset amerikane morën pjesë në ofensivë, duke lëshuar më shumë se 20 raketa Tomahawk që goditën objektiva në Isfahan.
Pamjet satelitore pas sulmit tregojnë se një pjesë e mburojës malore që mbronte objektin e Fordow u shkatërrua plotësisht. Megjithatë, raportet e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se infrastruktura thellë nën tokë mund të ketë mbijetuar dhe se programi bërthamor i Iranit është vetëm i vonuar për disa muaj.
Në kulmin e tensionit, Ministri i Jashtëm i Iranit e quajti sulmin “të paligjshëm, kriminal dhe një kërcënim serioz për paqen ndërkombëtare”.
Operacioni zgjati 37 orë pa ndalim. Pilotët u ndihmuan nga një mikrosistem jetese brenda avionëve – me mikrovalë, frigorifer dhe një banjo ndërsa për periudhën që fluturonin mbi Iran, të dy pilotët duhej të ishin gjithmonë në kabinë.
Për të mashtruar radarët iranianë, SHBA gjithashtu lëshoi një konvoj shpërqendrues të avionëve B-2 në drejtim të Paqësorit, me ndalesë për furnizim në Guam.