“Thirrje për iranianët të përmbysin regjimin”, Berisha reagon për sulmet e SHBA: U asgjësua de facto…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas bombardimeve të centraleve bërthamore iraniane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë veprim si një zhvillim historik me ndikim të gjerë politik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha theksoi se “u asgjësua de facto potenciali bërthamor i Ajetullahëve të Iranit” nga fuqia ajrore e SHBA-së, duke e cilësuar këtë si një moment kyç për popullin iranian.

“Obliterimi, de facto asgjësimi mbrëmë i potencialit bërthamor të Ajetullahëve të Iranit nga fuqia ajrore e SHBA-së është një mundësi e re dhe një thirrje e fuqishme për iranianët në Iran dhe në botë të bashkohen për përmbysjen e diktaturës teokratike obskurantiste dhe për një Iran të lirë dhe demokratik,” shkroi Berisha.

Reagimi i tij erdhi pas një nate të tensionuar ndërkombëtarisht, kur avionët luftarakë amerikanë goditën tre lokacione bërthamore iraniane, përfshirë centralin nëntokësor të pasurimit të uraniumit “Fordow”.

Situata mbetet e ndjeshme ndërsa komuniteti ndërkombëtar vëzhgon me vëmendje zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT