8 masa arresti për mashtrimet me “call center”, SPAK operacion të përbashkët me Gjermaninë

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion po mban një konferencë të përbashkët me autoritetet gjermane lidhur me një operacion për krimet kibernetike. Prokurori Eneid Nakuçi nisi me dhënien e disa detajeve për operacionin “Pandora”, të realizuar më 18 prill 2024 ku nga kontrolli i një ambienti në një call center të paligjshëm, janë sekuestruar prova materiale.
Sipas vendimit të gjykatës, janë caktuar masa sigurie “arrest në burg” për pesë shtetas dhe për tre persona të tjerë, “arrest në shtëpi”.
Eneid Nakuçi: Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar, në datën 18 prill të vitit që kaloi, nga ana e Prokurorisë së Posaçme është ushtruar kontroll në ambientet e një call centeri të paligjshëm në Shqipëri ku u gjetën dhe janë sekuestruar prova materiale të dyshuara të shumta, digjitale dhe dokumetare. Në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele në Gjermani dhe në Shqipëri, rezultatet dhe provat digjitale të kontrolleve u dërguan për një analizë më të rhelluar pranë autoriteteve gjyqësore gjermane. Në përgjigje, në sajë të bashkpëunimit gjyqësor ndërkombëtar, nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale, të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale dokumentare të sekuestruara në Shqipëri, ditën e kontrollit, çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë, por jo vetëm nëpërmjet qendrës së call centerave të paregjistruar si biznes në organet tatimore.
Sipas prokurorit, mëngjesin e sotëm është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurisë për të gjithë personat që gjendeshin në territorin e Shqipërisë. Vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë që nuk ndodhen në territorin shqiptar.
Më tej, Nakuçi tha se vlera e dëmit të shkaktuar ndaj 14 viktimave tejkalon 363 mijë euro, ndërsa shpjegoi edhe si u realizua operacioni i parandalimit.
Eneid Nakuçi: Vlera e dëmit të shkaktuar dhe të dokumentuar për këtë fazë të hetimit për periudhën disamujore të call center-it është 363, 501 euro dhe bëhet fjalë për 14 viktima të mashtrimit në Gjermani. Vlera relativisht e ulët e dëmit të shkaktuar është meritë e risisë që paraqet ky hetim që është parandalimi i qindra tentativave për mashtrim të kryer nga autorët kundrejt viktimave gjermane. Sapo merreshin në telefon nga mashtruesit, viktimat më pas kontaktoheshin nga oficerët e policisë gjermane duke iu shpjeguar skemën e mashtrimit dhe anulimin e pagesave. Kjo ka sjellë parandalimin e mashtrimit në shuma më të mëdha te këto viktima.
Nakuçi tha se “nga hetimi që kemi kryer janë shpëtuar 6 mijë raste dhe u shpëtuan gati 1 milionë euro.”