A është koha që Malësia e Madhe të pijë ujë nga liqeni i vet?

Nga Musa Kurtulaj

Ndërsa vera ka goditur me gjithë forcën e saj Malësinë e Madhe, kriza e mungesës së ujit të pijshëm është bërë më e mprehtë se kurrë. Zona fushore e kësaj bashkie, përfshirë fshatra si Gruemira, Bajza, Hoti, Jerani, Vukpalaj dhe vetë qytetin e Koplikut, vuan çdo ditë për një të drejtë bazike: qasjen ndaj ujit të pastër.

Që prej vitit 1973, kjo zonë furnizohet nga një i vetmi sistem: ujësjellësi i Rrjollit. Një ujësjellës i ndërtuar më shumë se 50 vite më parë, i cili sot nuk përmbush më as minimumin e kërkesave të popullsisë. Furnizimi është i kufizuar, i rralluar, dhe në shumë raste – krejtësisht i munguar gjatë muajve të verës.

Në këtë situatë, një pyetje e thjeshtë dhe logjike shtrohet vetvetiu:

Përse nuk përdoret për furnizimin me ujë të pijshëm Liqeni i Shkodrës, kur ai shtrihet përgjatë gjithë vijës së fushës së Malësisë së Madhe?

Jo vetëm që është burim i afërt dhe natyror, por është edhe i provuar si funksional. Vetë qyteti i Shkodrës prej dekadash furnizohet me ujë të pijshëm nga stacioni i pompave në Dobraç, i cili ndodhet në brigjet e këtij liqeni. Pra, modeli ekziston dhe funksionon.

E njëjta zgjidhje mund të zbatohet edhe për Malësinë e Madhe: përmes ndërtimit të një stacioni të filtrimit dhe pompimit pranë bregut të liqenit (p.sh. në zonën e Jeranit ose pranë Koplikut), uji mund të përpunohet dhe shpërndahet drejt fshatrave dhe qytetit.

Investimi i nevojshëm, bazuar në projekte të ngjashme në zona rurale të Shqipërisë, vlerësohet ndërmjet 2.5 dhe 4 milionë euro.

Kjo shumë do të mjaftonte për një sistem modern e të qëndrueshëm: marrje uji, filtrim, dezinfektim dhe rrjet i shpërndarjes. Kjo do t’i jepte fund varësisë nga një burim i vetëm dhe do të përmirësonte jetën e mijëra banorëve.

Ky projekt do të ishte shumë më praktik dhe ekonomik sesa kërkimi i burimeve të largëta në male apo ndërtimi i puseve të thellë, që janë të kushtueshëm dhe jo të qëndrueshëm në kohë.

Në vend që të mbetemi peng i një infrastrukture të vjetëruar, mund të përfitojmë nga pasuria natyrore që kemi në pragun e shtëpisë. Uji i liqenit është aty – ashtu siç përdoret për qytetin e Shkodrës, mund të përdoret edhe për Malësinë e Madhe.

Kërkohet angazhim, planifikim dhe vendimmarrje e mençur për të zgjidhur një nga problemet më themelore të komunitetit: ujin.

A nuk është koha që Malësia e Madhe të pijë ujë nga vetë liqeni i saj?

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT