Betoni i “zë frymën” Thethit! Çfarë ka mbetur nga “Eagle Villas Theth” pas urdhrit të Ramës, pritet rrafshimi i 40 objekteve të tjera

Pas urdhrit të prerë të një dite më parë nga kryeministri Edi Rama në “zemër” të Thethit është duke vijuar puna me qëllim spastrimin e saj nga benotizimi dhe ndërtimet pa leje.
Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme, aksioni i punonjësve të IKMT-së është duke vijuar dhe përgjatë kësaj të marte, ku nga “Eagle Villas Theth” nuk ka ngelur më asgjë, përveç gardhit rrethues.
Burime për mediat bëjnë me dije se pas prishjes së këtyre shtëpizave të drurit në pronësi të shumëkërkuarit të drejtësisë, Prek Kodrës, aksioni do të vijojë më pas me prishjen e objekteve të tjera.
Mësohet se në total janë për tu shembur rreth 40 ndërtime dhe urdhri i kreut të qeverisë ka qenë i qartë që asnjë fadromë të mos largohet pa shembur të gjitha objektet pa leje të cilat janë duke i “zënë frymën” fshatit turistik.
Punonjësit të IKMT-së, efektivë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Bashkisë së Shkodrës ndodhen në terren deri në ekzekutimin e plotë të direktivave të dhëna nga kryeministri Edi Rama.
Sakaq theksojmë se një ditë më parë lidhur me këtë aksion reagoi edhe vetë kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci vuri theksin te vendosmërua për t’i dhënë fund zaptimit të paligjshëm të tokave në këtë zonë me rëndësi të veçantë turistike dhe natyrore.
“Boll ma, tokë e xanun”, aksioni kombëtar i IKMT, Policisë së Shtetit dhe strukturave shtetërore i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake mbërrin në Theth. T’i japim fund paligjshmërisë”, shkruante Beci.