“Koktej” kullash me ngjyra-ngjyra! Projekti si do të transformohet Vlora, buzë bregdetit një “fshat” i ndërtuar nga guri dhe druri

Në një kohë kur vendi ynë është duke evoluar, dhe kullat gjigande janë duke u ndërtuar në “zemër” të Shqipërisë, as qyteti bregdetar i Vlorës nuk po lihet mbrapa.
Një projekt masiv i cili parashikon rreth 90 mijë metër katror ndërtim do ta shndërrojë bregdetin e Vlorës në një “koktejl” kullash me ngjyra-ngjyra.
Ky projekt është hartuar nga studio arkitekturore “Oppenheim” për llogari të kompanisë Feniks Konstruksion, në pronësi të Ilir Shyti dhe Jaho Shyti.
I vendosur në një kryqëzim midis qytetit të vjetër, Pyllit të Sodës dhe një marine të ndërtuar rishtazi, Zhvillimi Urban i Plazhit të Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 20,465 metrash katrorë dhe shton 89,320 metra katrorë ndërtime të reja.
Sipas këtij projekti i pagëzuar me emrin “Vlore Beach Urban Development”, në zemër të tij, është parashikuar që të jetë një shëtitore për këmbësorët e cila do të shtrihet nga bulevardi në plazh, e menduar kështu si një “urë lidhëse” që do të lidhë arkitekturën me peisazhin dhe jetën e përditshme me ritmet më të mëdha të qytetit.
Plani kryesor mbështetet në strukturën e fshatrave shqiptare, spontante, të çrregullta dhe afër me njëra-tjetrën, të risjella kështu përmes shumë blloqeve me shkallë të vogla.
Ndërtesat shumëngjyrëshe janë menduar që të kenë hapësira të përbashkëta, të cilat do të jenë të rrethuara nga kafene, sheshe, dyqane dhe zona publike me parqe për fëmijët.
Guri dhe druri, dy materialet kryesore për ndërtimin e këtyre blloqeve:
Për këto ndërtesa, ekipi i Oppenheim Architecture ka vendosur që të përdorë gurë, suva me bazë gëlqereje dhe detaje druri. Katet e tyre përdhese do të mbeten poroze, ndërsa sipër grilat dhe ekranet do të prezantojnë teksturë dhe ritëm.
Janë parashikuar që tre kulla do të jenë të vendosura brenda strukturës së bllokut, të cilat do të ngrihen mbi shkallët modeste të lagjes. Pozicionimi i tyre do të ruajë korridoret e pamjes dhe hapësirën e hapur, ndërsa fasadat e tyre ndjekin të njëjtën “gjuhë dizajni” për të mbajtur bisedën arkitekturore të qëndrueshme.
Oppeneheim thotë se Vlore Beach Urban Development e trajton vendin si një pikë konvergjence, një vend ku mjediset natyrore dhe të ndërtuara, të trashëguara dhe ato që po shfaqen janë të shtresuara.